Në Kompleksin Memorial “Isa Boletini” në Boletin të Mitrovicës, më 11 qershor 2022, i zhvilloi punimet Konferenca VI Mbarëkombëtare e Arkivistikës. Në konferencë me kumtesa janë paraqitur 27 studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Nga Mali i Zi në këtë konferencë morën pjesë: Dr.Nail Draga me kumtesën “Kolonizimi i Ulqinit me popullsi malazeze në shek. XIX sipas dokumenteve arkivore”; dhe Hajrullah Hajdari me kumtesën “Isa Boletini në dokumentet malazeze”.
Në bashkëpunim të përbashkët mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, deri më tani janë mbajtur pesë konferenca (Tiranë, Prishtinë, Shkup, Sarandë e Tuz), ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm studiuesish, jo vetëm nga fusha e arkivistikës.
Në kuadër të Konferencës është hapur edhe ekspozita “Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon”.
Cekim me këtë rast se nga viti 2016, në emër të të dyja intitucioneve arkivore është duke u botuar revista “Arkiva shqiptare”, ku deri më tani janë botuar gjashtë numra, duke qenë modeli i vetëm me qasje mbarëkombëtare.
(Kohapress)