Diskutim mbi projektet konkrete që pritet të realizohen

Tuz – Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, të enjtën më 10 qershor 2022, priti në takim ministrin e Ministrisë së Rinisë dhe Sportit në Mal të Zi, Vasilije Llallosheviq, ministrin e Ministrisë së Arsimit, Mr. Miomir Vojinoviq, dhe ministrin e Ministrisë së Administratës Publike, Mr. Marash Dukaj.
Në njoftimin e faqes zyrtare të fejsbukut të Komunës së Tuzit, thuhet se gjatë këtij takimit u diskutua mbi sfidat me të cilat po ballafaqohen sot, si administrata qendrore ashtu edhe ajo lokale, dhe mbi projektet konkrete të cilat do të realizohen nëpërmjet bashkëpunimit të Komunës së Tuzit dhe institucioneve qendrore.
Gjeloshaj ka thënë se takimet si ky i sotmi janë me interes të madh për ne, kur janë në pyetje projekte të cilat rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve. Ai po ashtu falënderoi ministrat për gatishmërinë e tyre për mbështetje dhe bashkëpunim si dhe i uroi ata për detyrat e reja.
“Ishte kënaqësi të prisnim ministrat e qeverisë së re me të cilët biseduam lidhur me projekte bashkëpunimi të cilat ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, çfarë është edhe qëllimi ynë si në pushtetin lokal ashtu edhe në atë qendror”, u shpreh në mes tjerash Gjeloshaj.
Më tutje njoftohet se ministri Vojinoviq, teksa falënderoi kryetarin Gjeloshaj për pritjen, u zotua se Komuna e Tuzit ka mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte konkrete në të mirë të qytetarëve të Komunës së Tuzit.
“Ministri Llallosheviq ka thënë se hapi i parë që do ndërmarrë Ministria e Sportit dhe Rinisë sa i përket Komunës së Tuzit, janë dy projekte shumë të rëndësishme. I pari është formimi i Qendrës për të rinjtë, ku ata do të mund të mbajnë takime e panele të ndryshme. Projekti i dytë i rëndësishëm (pas atij në stadiumin e KF “Deçiqi”), ka të bëjë me projektin në të cilin komuna ka aplikuar, e që lidhet me rregullimin e një fushe sporti në një nga lokacionet ku ne mendojmë që është i përshtatshëm për këtë projekt”, thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj ka thënë se Qeveria e Malit të Zi gjatë këtij mandati është plotësisht e përkushtuar në procesin e decentralizimit dhe forcimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi dhe reformës së administratës publike.
Ai ka thënë se Ministria e Administratës Publike në vazhdimësi është duke punuar në thellimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjen e problemeve që rëndojnë punën e vetëqeverisjes lokale, si dhe po ndërmerr aktivitete që kanë për qëllim përmirësimin e funksionimit dhe qëndrueshmërisë së komunave, me qëllim të ofrimit të shërbimeve efikase për qytetarët.
„Dyert e Ministrisë së Administratës Publike do të jenë gjithmonë të hapura për vetëqeverisjen lokale në drejtim të krijimit të një administrate të orientuar drejt qytetarëve”, tha Dukaj.
Në këtë njoftim thuhet se pas takimit në Komunën e Tuzit, ministrat vizituan IP Shkollën e Mesme të Përzier ,,25 Maji”, stadiumin e Klubit Futbollistik “Deçiqi”, dhe Shkollën Fillore „Bashkimi” në Skorraq, ku bënë edhe pranim-dorëzimin e donacionit nga Rrok P. Gojçaj, një automjet (furgon) për nevojat e kësaj shkolle.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat