Omer Bajraktari kryetar i Komunës, Ardijan Mavriqi kryetar i Kuvendit

Ulqin – Pas dështimit të dy seancave ku është dashur të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe ndërprerjes sërish të seancës të premten nga kryesuesi Mehmed Zenka nga UDSH, këshilltarët e shumicës së re qeverisëse dhe Demokratëve të Malit të Zi nga opozita kanë vazhduar seancën duke zgjedhur kryetarin e ri të Komunës së Ulqinit si dhe kryetarin dhe sekretaren e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Kryetar i ri i Kuvendit të Komunës së Ulqinit është zgjedhur Ardijan Mavriqi nga Forca e Re Demokratike, i cili pason në këtë detyrë kryetarin e deritashëm Haxhi Sulejmani. Për të kanë votuar 20 këshilltarë, 18 të koalicionit qeverisës që përbëhet nga koalicioni “Fillimi i Ri” (Lëvizja Qytetare URA, Partia Demokratike, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa Shqiptare) dhe Forca e Re Demokratike, si dhe dy këshilltarët e Demokratëve. Ndërsa kandidatja për kryetare të Kuvendit, këshilltarja e PDS-së Ivana Jançiq – Popoviq, e propozuar nga 12 këshilltarët e opozitës (koalicioni UDSH-LD në MZ dhe koalicioni Partia Demokratike e Socialistëve – Partia Boshnjake) nuk ka pasur asnjë votë pasi që këshilltarët e opozitës e kanë lëshuar më herët sallën e Kuvendit.
Po ashtu këshilltarët kanë votuar për zgjedhjen e sekretares së re të Kuvendit, Mirjeta Gjoni, pasi që më herët kanë shkarkuar sekretarin Besart Resulani nga UDSH.
Me 18 vota për të këshilltarëve të koalicionit qeverisës dhe dy vota kundër të këshilltarëve të Demokratëve, Kuvendi ka zgjedhur Omer Bajraktarin nga Lëvizja Qytetare URA kryetar të ri të Komunës së Ulqinit.
Në fjalën përshëndetëse pas betimit, kryetari i ri i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se sot jemi në vazhdimësinë e një udhëtimi, i cili nuk mbaron kurrë, udhëtimi për ta bërë vendin tonë më të mirë për qytetarët tanë.
“Në atë rrugëtim, ne po ashtu duhet të bëhemi më të mirë në shërbim të qytetarëve… Në rrugëtimin tonë jemi të pajisur me vizion, vullnet për të dhënë maksimumin për rilindjen e Ulqinit tonë, të shoqëruar me dashuri të madhe për këtë vend që krahas dallimeve politike, na bashkon dhe frymëzon”, ka thënë ai.
Bajraktari është shprehur se për zhvillimin dhe mirëqenien e Ulqinit kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve.
“Të ndërtojmë kalanë e raporteve të mira dhe në mënyrë transparente e të vendosur të hapim rrugët për futjen e Ulqinit në hartën e vendeve më të njohura turistike në rajon e më gjerë”, ka thënë ai.
Kryetari i ri i Komunës së Ulqinit ka deklaruar se është i vetëdijshëm që pritshmëritë, nevojat dhe dëshirat e qytetarëve të Ulqinit janë të mëdha, por ato janë të justifikuara dhe reale.
“Interesi i Ulqinit duhet të jetë mbi çdo interes tonë individual apo partiak. Prandaj Ulqini mundet, drejt dhe me nder, nëse punojmë të gjithë bashkë dhe nëse e mira e qytetit tonë është prioriteti ynë numër një!”, ka përfunduar Bajraktari.
Edhe të premten është ndërprerë seanca nga kryesuesi Mehmed Zenka, por këshilltarët e shumicës kanë vendosur ta vazhdojnë atë, në bazë të udhëzimeve të Ministrisë për Administratën Publike. Seancën në vazhdim e ka kryesuar këshilltari më i vjetër i pranishëm në sallën e Kuvendit, Genci Nimanbegu nga Forca e Re Demokratike.
Opozita ka reaguar ndaj zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe kryetarit të Komunës duke vlerësuar se vazhdimi i seancës nga këshilltari Nimanbegu dhe aktet e ndërmarra më vonë janë joligjore. Ata kanë paralajmëruar se për këtë do të ankohen dhe do të ngrejnë padi në organet gjyqësore kompetente.
Kryetari i ri i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka marrë të hënën zyrtarisht detyrën nga kryetari i deritashëm Aleksandar Daboviq.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat