Të konkretizohen projekte me interes të përbashkët

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryetarja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, kanë biseduar për marrëdhëniet dhe projektet e përbashkëta ndërmjet dy shteteve në margjinat e Samitit për Demokraci të Evropës Juglindore, që është mbajtur të hënën në Budva.
“Detyra e përbashkët e Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës është që në periudhën e ardhshme të konkretizojnë projekte me interes të përbashkët në fushën e ekonomisë dhe transportit. Ishte kënaqësi të bisedoja sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Budva”, ka theksuar Abazoviq përmes një postimi në Twitter.
Në takim është vlerësuar nevoja për përmirësimin e infrastrukturës së komunikacionit, ndërsa kryeministri Abazoviq ka theksuar se fokusi i Qeverisë së Malit të Zi në këtë kuptim do të jetë rindërtimi i rrugës Plavë-Deçan dhe ndërtimi i tunelit Rozhajë-Pejë. Ata po ashtu kanë nënvizuar nevojën e zgjidhjes për korridorin ajror.
Dy bashkëbiseduesit kanë konkluduar se Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura dhe takimet e shpeshta në nivelin më të lartë kontribuojnë dukshëm në bashkëpunimin e ndërsjellë.
Në njoftimin e zyrës për media të Presidentes së Kosovës thuhet se Osmani ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave në procesin e integrimit evropian.
Më tej, Presidentja Osmani ka kërkuar përkrahjen e qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në vecanti, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat