Qeveria do të vendosë për vazhdimin

Ulqin – As të martën nuk është zhvilluar seanca e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, megjithëse ishte dita e fundit që është dashur të mbahet seanca konstitutive.
Në vend të këshilltares së UDSH-së, Jasmina Hasa, e cila e ka kryesuar seancën konstitutive të mbajtur të mërkurën, më 25 maj 2022, seancën të martën e ka kryesuar këshilltari i UDSH-së, njëherazi kryetari i kësaj partie, Mehmed Zenka.
Ai e ka ndërprerë seancën konstitutive me arsyetimin se nuk është formuar komisioni i nevojshëm i Kuvendit për shqyrtimin e dy kandidaturave për kryetar të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Për këtë Zenka ka fajësuar përfaqësuesit e koalicionit qeverisës “Fillimi i Ri” dhe Forca e Re Demokratike, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konsultimet e thirrura nga kryesuesja e seancës Jasmina Hasa. Sipas tij, nuk janë pjekur kushtet ligjore për vazhdimin e seancës konstitutive, për zgjidhjen e së cilës ka thënë se do të njoftojë ministrinë përkatëse të Qeverisë së Malit të Zi.
Në mbledhjen konstitutive, të mbajtur të mërkurën e kaluar, janë verifikuar mandatet e këshilltarëve të përbërjes së re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale që janë zhvilluar më 27 mars të këtij viti. Seanca është ndërprerë te pika e rendit të ditës zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Për këtë post, koalicioni i ri qeverisës, në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet koalicionit “Fillimi i Ri” dhe Forcës së Re Demokratike, ka propozuar këshilltarin e Forcës, Ardijan Mavriqi. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Socialistëve ka propozuar këshilltaren e këtij subjekti, Ivana Jançiq – Popoviq. Kjo ka bërë që drejtuesja e seancës, Jasmina Hasa nga UDSH, ta ndërpresë seancën me arsyetimin se duhet të formohet komisioni i Kuvendit për të shqyrtuar dy kandidaturat për kryetar të Kuvendit.
Me qëllim të hetimit të zbatimit të procedurës ligjore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, inspektorët administrativë kanë qenë të premten në shërbimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Pas ngjarjeve të fundit të së martës pritet që Qeveria e Malit të Zi të zgjidhë ngërçin e krijuar politik, i cili ka bërë që të zvarritet procesi i zgjedhjes së organeve të reja të pushtetit vendor në Ulqin.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat