Letërsi që përmes individit kërkon të ndryshojë realitetet

Letërsia e Martin Bojajt është letërsi që përmes individit kërkon të ndryshojë realitetet, si dhe të tregojë subjektivitetin dhe ndikimin e tij në rrafshin shoqëror. Ai ekspozon sesi shoqëria nuk i bën individët, por përkundrazi individët i formojnë shoqëritë, duke e përmbyllur me përmbushjen e detyrës: “Babë, e mora diplomën! Fjalën që ta dhashë, e mbajta!”

Rrok Gjolaj

(vijon nga numri i kaluar)
Atë minutë kur e ke njësoj, si të vdesësh apo të jetosh, vetëm atëherë fillon të jetosh! (Po aty, f. 37)
Kjo është sentenca e autorit për të bindur lexuesin në vullnetin e qenies përballë detyrës së tij. Atë që e sheh Nikolla te kodet zakonore të shqiptarit, te figura e Gjergj Kastriotit, nuk shihen nga të gjithë. Ky është atribut i njeriut që përmbushjen e vet si njeri e sheh pikërisht atëherë kur Identiteti i tij përcjell vërtet atë çfarë ai trashëgoi. Pavarësisht se jeta e hedh në tokë të huaj, ai është i linduri në një tokë të quajtur Malësi, që u përket malësorëve, e janë ata që do t’i ruajnë e trashëgojnë mrekullitë e Cemit, maleve, fushave të kësaj Malësie edhe përmes emrit të mirë që pasardhësit e Gjergjit, Nënë Terezes, do të lënë në botën e madhe, përtej Malësisë.
“Tani e tutje vetë shpirti i Gjergj Kastriotit do të jetë pjesë e Planit, i cili është brenda Nikollës, dhe si rrjedhojë nevojitet të kontrollohet më shumë, – tha kryetari i bordit drejtues të orëve.
Në qëndrimet e Nikollës, në përpjekjet e tij për të mbaruar shkollën, në fjalët që shpirti i Gjergj Kastriotit i thotë: “Edukohu dhe arsimohu o Nikollë, atëherë do të bëhesh Hisja ime” (Po aty, f. 45), autori tregon për lirinë e zgjedhjes dhe çrregullimin e parametrave të zakonshëm me të cilët kaosi i sistemit i ka nënshtruar individët, duke i larguar nga rruga e drejtë dhe qëllimet e mira.
Nisur nga premisa e ristrukturimit të realitetit siç e njeh autori, me qëllim që t’i ofrojë lexuesit të vendit të tij gjithë serinë e lidhjeve që shoqëritë kanë vendosur me individin, ai propozon krijimin e artistit (Nikolla piktor i rangut botëror), që përmes ngjyrave dhe lëvizjeve të bashkojë perspektivat për të arritur tek e besueshmja e mendimeve të brendshme të qenies bashkë me ankthet e tij. Nikolla shprehet se:
Brenda njeriut është një energji shumë e madhe, e cila quhet liri dhe ne jemi ata që i japim liri vetes, për të parë botën me syrin tonë të lirë dhe jo të shohim atë që të tjerët duan të shohin apo që pritej prej nesh të shohim, ose çka syri jonë dëshiron të shohë. Është mendja e lirë dhe zemra e pastër, thesaret e paçmueshme të shpirtit artist. (Po aty, f. 108).
Natyra e njeriut është komplekse, përsosmërinë dhe rregullin autori e sheh vetëm te Zoti. Në kapitullin VIII, Nikolla ëndërron një dialog të përhershëm të njeriut me Zotin, krijuesin e gjithësisë. Në këtë kapitull, rrëfimi i autorit merr natyrën e drejtimit letrar të surrealizmit, që paraqet të pamundurën, bashkimin e propozimeve antagoniste (mes Zotit dhe orës Q), duke na ofruar një tekst që i ikën realitetit. Kjo tendencë varet në perceptimin e nënvetëdijes, në mënyrën se si gjërat ndodhin pas syve, në botën e veçantë të secilit individ.
Zoti, si krijues, si i gjithëdijshmi, si projektuesi i harmonisë, si organizuesi, thekson se: gjithmonë ka një arsye, nëse diçka ndodh, ose jo! (Po aty, f. 65). Po ai nuk tregon se si do përfundojë. Ai veçon se: Pasiguria është problemi i diturisë, se çfarë dukurie të pashmangshme kam për të bërë (Po aty, f. 65), duke treguar se njeriu kur kupton se sa i pandryshueshëm është fillon e mërzitet, e pastaj i bën surpriza vetes. Zoti vërtet ka kontroll mbi gjithçka, po ai i dhuroi njeriut lirinë, e të bëjë gjithçka që dëshiron.
Mes kontrollit mbi jetën, të pashmangshmes dhe mundësisë, në fjalët e Zotit, autori propozon se: e ardhmja është çka nuk ka ndodhur akoma, dhe se brenda çdo njeriu janë dëshirat, me të cilat jo çdo njeri mund ta marrë me mend se si do veprojë, po vetëm mënyrat se çfarë do të ndodhë me njeriun janë të sakta.
Ndaj autori përmes Zotit thekson se për njeriun Zot të vetes, do të ishte kënaqësi të zotëronte një pjesë të universit ku ka surpriza.
Jeta është plot me të tilla, ndaj autori u përpoq të bashkonte perspektivat e të mundshmes te Nikolla, për të arritur shfaqjen më të madhe, më të besueshmen: e mendimeve më të brendshme të qenies, siç janë lufta me frikën e dështimit. Këtu lind pyetja e dytë e Nikollës:
Pse orët janë të preokupuara që unë të mos mbaroj fakultetin dhe të mos e mbaj Besën, çka është më e rëndësishmja. (Po aty, f. 76).
A është e gjithë jeta jonë një Plan i bërë nga të tjerët (Orët)? Apo jetën e vet është vetë njeriu që e kontrollon? Dhe Nikolla pohon se: njeriu e ndjen vetë brenda vetes se çfarë i nevojitet, dhe kështu në artin e lindur dhe të trashëguar të Nikollës, autori sheh se kjo është e pamjaftueshme:
“Arti është vetë zemra dhe shpirti i të gjithë të rinjve dhe unë jam këtu për t’ju thënë, se e ardhmja juaj është ajo çka ju zgjidhni e jo e ‘atyre’, kështu dua t’ju them, që jemi ne që vendosim të ndryshojmë të ardhmen…” (Po aty, f. 100).
Vetë autori propozon se njeriu duhet të ketë ndjenjën kombëtare, të cilën ai e vendos si themel të dashurisë në artin kreativ, dhe pikërisht është dashuri për atë që bën që duhet të kuptohet, ndihet dhe zbatohet nga njeriu, i cili do të ngrihet në një botë supreme. ku Fati dhe Vullneti i lirë jetojnë së bashku. Përgjatë jetës së Nikollës zbulojmë se edhe pse jeta e njeriut kalon përmes tundimeve të ndryshme, është forca e HUMANIZMIT ajo që e shpëton njeriun.
Letërsia e Martin Bojaj është letërsi që përmes individit kërkon të ndryshojë realitetet, si dhe të tregojë subjektivitetin dhe ndikimin e tij në rrafshin shoqëror. Ai ekspozon sesi shoqëria nuk i bën individët, por përkundrazi individët i formojnë shoqëritë, duke e përmbyllur me përmbushjen e detyrës: “Babë, e mora diplomën! Fjalën që ta dhashë, e mbajta!” (Po aty, f. 154).
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat