Ulqin – Gati dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Koalicioni “Fillimi i Ri” dhe Forca e Re Demokratike kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës për formimin e pushtetit në Komunën e Ulqinit.
Marrëveshjen e koalicionit në emër të listave zgjedhore e kanë nënshkruar kryetari i Lëvizjes Qytetare URA dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit “Fillimi i Ri”, Omer Bajraktari, dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu.
Në bazë të marrëveshjes, postet e kryetarit të Komunës dhe kryetarit të Kuvendit të Komunës, do të ndahen nga dy vite. Kështu, kryetar i Komunës së Ulqinit në dy vitet e para të qeverisjes do të jetë bartësi i Koalicionit “Fillimi i Ri”, Omer Bajraktari, ndërsa dy vitet tjera përfaqësuesi i Forcës së Re Demokratike. Njëjtë edhe me kryetarin e Kuvendit të Komunës, ku dy vitet e para kryetar do të jetë përfaqësuesi i Forcës së Re Demokratike, kurse dy vitet tjera përfaqësuesi i Koalicionit “Fillimi i Ri”.
“Jemi të bindur që ky koalicion do të shënojë fillimin e rimëkëmbjes ekonomike, sociale, infrastrukturore dhe çdo lloj rimëkëmbjeje tjetër të Komunës së Ulqinit dhe vazhdimin e realizimit të projekteve që kanë shënuar luftën politike të partnerëve si: kompletimin e studimit për portin dhe universitetin në Ulqin, të cilët janë përfshirë në Buxhetin e Malit të Zi, ndërtimin e kapaciteteve hotelerike të reja ekskluzive, ndërtimin e urës mbi Bunë dhe krijimin e kushteve për lundrim në Bunë, vazhdimin e revitalizimit të Qytetit të Vjetër dhe rimëkëmbjen urbane të tërë komunës”, thuhet në deklaratën e përbashkët për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit.
Ata kanë theksuar se janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe, por janë të sigurt se falë ideve, vizionit dhe përkushtimit të përbashkët, si dhe mbështetjes së Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi do të arrijnë që në mandatin e ardhshëm katërvjeçar Ulqini të bëhet një vend më i mirë për jetesë për të gjithë qytetarët e tij.
Rreth formimit të koalicionit qeverisës paszgjedhor ndërmjet Koalicionit “Fillimi i Ri” dhe Forcës së Re Demokratike kanë reaguar nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Demokratike e Socialistëve. UDSH ka paralajmëruar që së bashku me PDS-në dhe Forcën e Re Demokratike do të formojnë koalicionin qeverisës paszgjedhor, për ç’gjë kanë zhvilluar bisedime.
Kryetari i UDSH-së, Mehmed Zenka, ka thënë se kjo parti politike është viktimë e lojës politike që pas zgjedhjeve lokale kanë bërë koalicioni “Fillimi i Ri” dhe Forca, kurse PDS-ja ka thënë se kemi të bëjmë me inxhiniering paszgjedhor, duke potencuar se në vend të parimeve kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka zgjedhur pushtetin. Kritikat e UDSH-së dhe PDS-së janë hedhur poshtë nga Forca e Re Demokratike.
Shumica e re qeverisëse përbëhet nga 19 këshilltarë, nga 33 sa ka gjithsej Kuvendi i Komunës së Ulqinit.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 27 mars të këtij viti, më së shumti vota ka fituar koalicioni “Fillimi i ri”, i përbërë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Demokratike, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa Shqiptare, duke siguruar 14 mandate të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. Koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Boshnjake ka fituar gjashtë mandate, aq sa edhe koalicioni tjetër – Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Pesë mandate ka fituar Forca e Re Demokratike, kurse Demokratët dy mandate të këshilltarëve.
(Kohapress)
