Prishtinë – Mali i Zi mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka thënë Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, gjatë vizitës së tij zyrtare dyditore në Prishtinë, më 18 dhe 19 maj.
Ai është pritur me nderime shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Dy presidentët kanë theksuar përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, siç është thënë, për të siguruar më shumë stabilitet, paqe dhe zhvillim në rajon.
Gjukanoviq ka thënë se ka ardhur koha që Evropa të përsërisë mesazhin “që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkimin Evropian”.
“Ne jemi mirënjohës për faktin se Kosova është orientuar drejt objektivave identike strategjike sikurse Mali i Zi. Kjo është bazë që përmes shkëmbimit të përvojave të mbështesim njëri-tjetrin për t’i kaluar sfidat në këtë rrugë që në një të ardhme të afërt t’i realizojmë qëllimet tona të përbashkëta”, ka thënë ai.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Mali i Zi ndajnë një vizion të përbashkët e të qartë për të ardhmen euroatlantike.
Ajo ka shtuar se është e rëndësishme për rajonin të qëndrojnë bashkë “kundër agresionit rus dhe satelitëve të tyre që kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit”.
I pyetur nga gazetarët në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten Osmani lidhur me demarkacionin e kufirit, Gjukanoviq ka thënë se çështja e demarkacionit mund të konsiderohet si problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme.
Ai ka deklaruar se do t’u përmbahet dokumenteve që janë nënshkruar për këtë çështje.
“Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion, do të krijohen kushtet për korrigjim për të cilat do të pajtohemi dhe që do të kontribuojnë që ky kufi të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve apo rrezikimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka deklaruar ai.
Të dy presidentët kanë theksuar se nuk duhet të lejojnë që raportet mes dy shteteve të keqësohen.
“Nuk ka asnjë çështje që mund t’i prishë raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sa i përket iniciativës Ballkani i Hapur, të dy presidentët kanë potencuar se nuk e shohin si një iniciativë të qëlluar rajonale dhe se do të vazhdojnë të mbështesin iniciativat tjera rajonale, të cilat janë krijuar më parë, siç është Procesi i Berlinit.
Gjatë ditës së parë të vizitës në Kosovë, Gjukanoviq është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. Ai po ashtu është pritur nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili i ka dhuruar Gjukanoviqit “Çelësin e Qytetit”.
Në vizitën e tij në Kosovë, Gjukanoviq është takuar edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare opozitare. Ai ka marrë pjesë po ashtu në Forumin e Biznesit, të organizuar nga Konsulli i Nderit i Malit të Zi, Gazmend Abrashi, si dhe ka vizituar bazën ushtarake të NATO-s. Presidentit të Malit të Zi i është ndarë nga Kolegji AAB Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, me motivacionin “për pritjen dhe strehimin e refugjatëve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999 dhe kontributit të dhënë për avancimin e të drejtave qytetare në Malin e Zi”. Gjukanoviq e ka përmbyllur vizitën dyditore në Kosovë me pjesëmarrjen në manifestimin “Ditët e malazezëve në Kosovë”, të organizuar nga Shoqata e Malazezëve “Llovqen”.
(Kohapress/REL)
