Përkrah politikave të NATO-s dhe BE-së

Podgoricë/Prishtinë – Mali i Zi dhe Kosova kanë vijuar ndihmën konkrete ndaj Ukrainës, në përputhje me politikën e tyre të jashtme, duke u rreshtuar përkrah vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian kundër agresionit rus të Ukrainës.
Nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Malit të Zi i ka dërguar ditë më parë Ukrainës një donacion ushtarak me vlerë prej 400 mijë euro.
“Kjo është një përgjigje ndaj kërkesës së Ukrainës për ndihmë në një situatë krize të shkaktuar nga agresioni rus ndaj këtij vendi. Mali i Zi dërgoi një donacion ushtarak dhe humanitar në vlerë prej 400.000 euro për Ukrainën mike. Ky donacion u realizua në bazë të vendimit të Qeverisë së Malit të Zi dhe në përputhje me nevojat e shprehura të palës ukrainase. Në koordinim me partnerët e tjerë evropianë dhe aleatët e NATO-s, Qeveria e Malit të Zi do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në përpjekjet e saj për t’iu përgjigjur me sukses të gjitha sfidave me të cilat përballet si rezultat i agresionit ushtarak rus”, thuhet në deklaratë.
Në anën tjetër, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka shtuar sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Qeverisë së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Kosova është rreshtuar krah politikave të SHBA-së dhe BE-së për sanksionet. Në pakon e sanksioneve përfshihen ndalesa edhe për Bjellorusinë. Sanksionet e Kosovës nënkuptojnë ngrirje të pasurisë së të sanksionuarve në territorin e Kosovës, ndalim të operimit në tregun financiar kosovar, ndalim udhëtimi, si dhe bllokim të qasjes në fonde për të sanksionuarit. Përveç këtyre sanksioneve, Qeveria e Kosovës është pajtuar edhe për vendosje të masave kufizuese për grupin Wagner, i cili përbëhet nga mercenarë me bazë në Rusi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat