Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” së bashku me Fondacionin e Familjes Lukaj kanë ndarë të premten në Katërkollë bursat për studentët nga treva e Anës së Malit. Përfitues të bursës janë 49 studentë nga Ana e Malit, të cilët studiojnë në universitet publike në Kosovë, në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara për bursa është 30 500 dollarë amerikanë.
Nga Fondi Humanitar “Trojet tona” kanë bërë të ditur se në bazë të kritereve të konkursit, studentët që kanë përfituar bursë janë ndarë në tre grupe. Grupi i parë i studentëve kanë përfituar nga 800 dollarë, grupi i dytë që përbën edhe pjesën më të madhe nga 500 dollarë dhe grupi i tretë, më i vogël, nga 300 dollarë. Po ashtu, të shtunën janë ndarë edhe gjashtë bursa (ndihma) për studentë të trajtuar si raste të veçanta.
Në deklaratën për shtyp, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” shpreh falënderim për Fondacionin e Familjes Lukaj, i cili ka mbuluar gjysmën e mjeteve që janë ndarë për studentët. Nga ana tjetër, edhe nga Fondacioni i Familjes Lukaj është shprehur i kënaqur rreth bashkëpunimit me Fondin Humanitar “Trojet tona”.
“Fondacioni i familjes sonë vazhdon të promovojë arsimin e lartë të të rinjve dhe të rejave nga treva jonë. Pikëpamja jonë e palëkundur është se nuk ka mënyrë më të mirë për të transformuar shoqërinë tonë dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik sesa promovimi i arsimit për të rinjtë tanë”, kanë deklaruar nga Fondacioni i Familjes Lukaj rreth ndarjes së bursave dhe bashkëpunimit me Fondin Humanitar “Trojet tona”.
Nga ky fond (Trojet tona) kanë falënderuar të gjithë mërgimtarët që kanë kontribuar me mjete financiare për realizimin e këtij aktiviteti, sidomos Margaret dhe Xhevdet Hajdari që kontribuuan me 5 000 dollarë, Husein dhe Ese Beqoviq me 3 000 dollarë, Dina dhe Ahmet Kurmemaj me 1000 dollarë si dhe Avni Veliqi me 1 000 dollarë.
Fondi Humanitar “Trojet tona” ka përgëzuar studentët përfitues të bursave, duke iu dëshiruar suksese në vazhdim të studimeve dhe që pas përfundimit të tyre, të kontribuojnë në të ardhmen për vendlindjen e vet.
Ky është viti i dytë që Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” ndan bursa për studentë.
(Kohapress)
