Pritet të zgjidhet Qeveria e re

Qeveria e re e Malit të Zi, e 43-të me radhë, pritet të zgjidhet sot në seancën parlamentare të Kuvendit të Malit të Zi, që do të mbahet në Cetinë.
Atë pritet ta përbëjnë Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” dhe Partia Socialdemokrate.
Qeveria e re pakicë pritet të mbështetet nga 46 deputetë, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi. Ajo ka përkrahjen edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq. Por, ajo kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar së bashku me Lëvizjen Qytetare URA.
Në krye të Qeverisë së Malit të Zi pritet që për herë të parë në histori të jetë një shqiptar, kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dr. Dritan Abazoviq.
Ai e ka prezantuar programin e punës së Qeverisë së re. Shtylla kyçe të Qeverisë së re të Malit të Zi do të jenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
Në ekspozenë e Abazoviqit që e ka dorëzuar para disa ditësh në Kuvendin e Malit të Zi thuhet se në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet evropiane.
Në fushën e prioriteteve të politikës së jashtme, Abazoviq përmend formimin e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, me qëllim të, siç thuhet, koordinimit dhe komunikimit më të mirë me strukturën negociatore të BE-së.
“Unë besoj se Mali i Zi mund të kërkojë një pranim të përshpejtuar (në BE) dhe se me vendime urgjente, por të mençura, mund të bëhet anëtar i plotë së shpejti”, ka thënë Abazoviq.
Në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij përmendet edhe marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, pastaj Ligji për origjinën e pronës, reforma zgjedhore, rishikimi i gjendjes aktuale në arsim dhe kulturë, e të tjera.
Abazoviq është propozuar për kryeministër të Qeverisë së re të Malit të Zi më 3 mars, nga presidenti Millo Gjukanoviq. Më herët, më 4 shkurt 2022, Kuvendi i Malit të Zi votoi pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, e formuar në dhjetor të vitit 2020. Më 7 shkurt 2022 Kuvendi votoi edhe për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Mr. Aleksa Beçiq. Në këtë mënyrë në Mal të Zi u krijua një krizë politike, epilogu i së cilës pritet të marrë fund me zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila do të ketë katër nënkryetarë dhe 20 ministra, dy prej të cilëve pa portofol. Në kabinetin ministror do të jenë edhe dy ministra nga partitë shqiptare.
Në këtë seancë parlamentare pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit të Malit të Zi. Sipas marrëveshjes, kjo pozitë pritet t’i takojë PPS-së, e cila ka propozuar deputeten Danijella Gjuroviq.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat