Ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të të Malit të Zi, Vesna Medenica, është arrestuar nga policia dhe akuzohet për dy vepra penale.
Medenica është ndaluar në aeroportin e Podgoricës, nën dyshimet për krijim të organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm.
Arrestimi i saj vjen pasi mediat publikuan transkriptet e mesazheve të shkëmbyera mes djalit të saj, Millosh Medenica, dhe oficerit të policisë Darko Lalloviq, në të cilat ata organizonin blerjen e kokainës dhe cigareve kontrabandë në portin e Tivarit. Në transkriptet e bisedave në aplikacionin e koduar të mesazheve Sky ECC, Millosh Medenica pretendonte se nëna e tij ishte në dijeni të biznesit të tyre të paligjshëm dhe se ata mund të presin mbrojtje prej saj. Ai përdorte një telefon të enkriptuar përmes të cilit kontraktonte kontrabandën e drogës nga Kolumbia, si dhe kontrabandën e cigareve.
Pas arrestimit të saj të dielën, ish-kryetarja e Gjykatës Supreme u shtrua në spital pasi është ndier keq.
Pasi që është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale Shtetërore, asaj i është caktuar masa e mbajtjes deri në 72 orë. Medenica ka mohuar kryerjen e veprave për të cilat akuzohet.
I pyetur lidhur me arrestimin e Vesna Medenicës, kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se nuk e komenton, sepse duhet t’u lejohet institucioneve të kryejnë punën e tyre.
Ministria e Drejtësisë së Malit të Zi ka thënë të hënën se arrestimi i Medenicës ishte një sinjal pozitiv për luftën e vendit kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Më 6 prill, Vesna Medenica mohoi akuzat kundër saj dhe iu bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë.
Medenica ishte në krye të Gjykatës Supreme të Malit të Zi për 17 vjet, deri në dorëheqjen e saj në fund të vitit 2020.
(Kohapress)
