Ulqin – Shoqata “Don Gjon Buzuku” ka njoftuar se heq dorë nga projekt-kërkesa për vendosjen e monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Ulqin, për shkak të procedurës së ngadalësuar në qeverisjen lokale në Ulqin.
Vendimi është marrë në Kuvendin e kësaj shoqate, të mbajtur më 17 mars 2022.
Kuvendi ka udhëzuar Gjergj Pepgjonin, si person të autorizuar të Shoqatës “Don Gjon Buzuku”, e cila ishte edhe nismëtare për vendosjen e shtatores së Skënderbeut, që të paraqesë kërkesën për tërheqjen e projektit në Komunën e Ulqinit dhe të njoftojë për vendimin Fondacionin “Dom Simon Filipaj” dhe diasporën amerikane si financuese të këtij projekti.
Shoqata “Don Gjon Buzuku” ka falënderuar drejtuesit e Komunës së Ulqinit të clët kanë ndihmuar në zbatimin e procedurës, përfshirë ish-kryetarët Nazif Cungu dhe Loro Nrekiq, kryetarin aktual të Komunës, Aleksandar Daboviq, kryetarin e Kuvendit të Komunës, Haxhi Sulejmani, këshilltarët e Kuvendit të Komunës, projektuesit dhe zyrtarët komunalë, Ministrinë e Kulturës të cilët, sipas saj, kanë marrë vendime adekuate pozitive për realizimin e këtij projekti.
Nga ana tjetër, kjo shoqatë dënon “sjelljen e paligjshme të disa punonjësve në administratën komunale me sjellje burokratike ndaj projektit, duke e ndërlikuar procedurën me veprime të kundërligjshme, duke kontribuar në trajtimin që heroi kombëtar nuk e meriton, sepse një monument i tillë është ngritur nëpër qendra të kryeqyteteve botërore me një procedurë të thjeshtë”.
Nisma për vendosjen e shtatores së Skënderbeut në një vend publik në Ulqin daton që prej disa vitesh. Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar vendimin për vendosjen e shtatores, ndërsa si vend është caktuar rrethrrotullimi pranë Komunës së Ulqinit, në bulevardin që mban emrin e heroit kombëtar. Po ashtu është marrë edhe pëlqimi nga Ministria e Kulturës. Shoqata “Don Gjon Buzuku” dhe drejtuesit e Komunës së Ulqinit disa herë kanë dhënë premtime për kohën e vendosjes së shtatores, por ato nuk janë respektuar.
Ndërkohë kryetari i Komunës së Tuzit ka paralajmëruar se deri në fund të këtij viti do të realizohet projekti i vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz.
(Kohapress)
