
Na ka tubuar këtu sonte, në këtë ambient të këndshëm kulturor, puna dhe vepra e autorit Gazmend Çitaku, më saktë monografia “Busulla e artë”.
Të kujtojmë pak se çfarë do të thotë fjala “busull – kompas”. E kemi mësuar në shkollë fillore, shumica nga ne nuk e ka praktikuar, përveç marinarëve në dete e oqeane. Mbase edhe ndonjë alpinist gjatë eksplorimeve në hapësira të panjohura.
Në literaturën shkollore thuhet se busulla është pajisje që shërben për orientim në hapësirë. E ndërtuar nga magneti dhe gjilpëra, e cila përdoret si tregues për orientim në hapësirën e rruzullit. Këtë të gjithë e kemi mësuar në fillore, mbase edhe sot ka të njëjtin përkufizim.
Po “Busulla e artë” e Gazmend Çitakut, nga cila materie është bërë? Kjo më ka shtyrë të mendohem para se kam marrë në dorë të lexoj dorëshkrimin. Ku e ka vendqëndrimin? Ngase, për të caktuar anët e horizontit duhet patjetër të ketë një vendqëndrim. Si përfundim, vendqëndrimi i “Busullës së artë” është Ulqini, busulla – libri cilësor si në pikëpamje përmbajtësore dhe teknikisht i përgatitur për mrekulli, ndërsa gjilpëra – autori Gazmend Çitaku. Si përfundim logjik, them me të drejtë busulla – mendja e autorit e gjilpëra – lapsi i tij.
Kjo busull (pra, ky autor) dhe kjo gjilpërë (pra, ky laps) me brumin e gatuar në magjen shqiptare na shtron në sofrën e dijes bukë me një shije të veçantë, dromcat e së cilës pasi të hamë, t’i grumbullojmë në dorë, t’i puthim dhe t’i vëmë në ballë. Kështu parardhësit tanë vepronin pas vaktit. Këtë krahasim e bëra me të vetmin qëllim që patjetër duhet të lexohet libri ngase e meriton përmbajtja e tij mos të na dalë asnjëherë nga mendja.
Lexuesi le ta vlerësojë vetë këtë që thashë më lart. Autori në dhjetë udhëpërshkrimet lëviz anekënd truallit shqiptar në Malin e Zi përmes busullës së tij – “Busullës së artë”. Në këto udhëpërshkrime me mjeshtëri gjilpëra e “Busullës së artë” të autorit përshkruan perlat e bukurive natyrore shqiptare, si bie fjala të Valdanosit, Krruçit, Salçit, Krajës, Malit të Sumës, Greçës, pastaj monumentet me rëndësi të posaçme historike dhe të trashëgimisë kulturore të këtij nënqielli. Mbase për shumë prej nesh, edhe pse jetojmë në një ambient jo edhe aq shumë të gjerë, deri tash nuk i kemi njohur. Gazmendi na shtron para që sonte shumë gjëra që për ne kanë qenë jo edhe aq shumë të njohura. Ja po i ceki disa sosh: afreskat në Kishën e Salçit, punuar nga piktori i madh shqiptar Kolë Idromeno; krojet, mullinjtë, tri urat e Klleznës, kanjonet e Megjureçit, Bojku, Megaliti i Malit të Sumës si dhe shumë materiale me interes për lexuesin.
Autori në dhjetë udhëpërshkrimet lëviz anekënd truallit shqiptar në Malin e Zi përmes busullës së tij – “Busullës së artë”. Në këto udhëpërshkrime me mjeshtëri gjilpëra e “Busullës së artë” të autorit përshkruan perlat e bukurive natyrore shqiptare, si bie fjala të Valdanosit, Krruçit, Salçit, Krajës, Malit të Sumës, Greçës, pastaj monumentet me rëndësi të posaçme historike dhe të trashëgimisë kulturore të këtij nënqielli. Mbase për shumë prej nesh, edhe pse jetojmë në një ambient jo edhe aq shumë të gjerë, deri tash nuk i kemi njohur
Udhëpërshkrimet, krahas fotografive origjinale që i ka bërë vetë autori, i shoqërojnë edhe të dhënat adekuate dhe gjuha e pastër, e kapshme për lexuesin e çdo niveli. Kur jemi te fotogafitë duhet theksuar se libri brenda kopertinave ka 100 fotografi.
Pjesën e dytë të monografisë autori ia ka kushtuar trashëgimisë, pjesë kjo nga faqja 83 deri në faqen 141. Ngjarje si “Ulqini dhe ulqinakët në Betejën e Lepantit”, “Oleotopolisi – Atlantida ulqinake”, “Demonstratat e Ulqinit të vitit 1969”, “Afroulqinakët”, “Detaria e Ulqinit”, “Krojet e Ulqinit” e shumë artikuj të tjerë, gjithsej nëntë, pa dyshim se janë me mjaft interes për t’i lexuar e studiuar.
Në pjesën e tretë të “Busullës së artë” autori e ka drejtuar gjilpërën e busullës së tij drejt personaliteteve që me punën dhe veprën e tyre ndër vite kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës në trojet shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë. Personalisht ndjehem shumë krenar që Mark Pjetër Lekë Dobreci ka qenë mjeshtri shqiptar i violinave. Me këtë autori Gazmend Çitaku e hap kapitullin e tretë të “Busullës” – “Gjurmë”.
Të tjerat dua t’ia lë lexuesit që të gjykojë se sa të drejtë ka pasur autori lidhur me këta personalitete, krijues dhe veprimtarë të zhanreve të ndryshme të artit, arsimit, kulturës etj.
Të shkruash nuk është e lehtë. As të botosh po ashtu. Fjala e shkruar, e hedhur në letër, mbetet përjetësisht. Për këtë duhet kurajo, guxim e sakrificë. Autorit Gazmend Çitaku guximi dhe jo vetëm nuk i kanë munguar asnjëherë. Për këtë flasin veprat e tij, puna shumëvjeçare jo vetëm në krijimtari letrare por edhe në fusha të tjera të artit, shkencës, kulturës.
Autorin e përgëzoj nga zemra për librin, për kënaqësinë që na dhuroi. Uroj që të na dhurojë edhe vepra të tjera me të cilat do të na ushqejë shpirtërisht dhe do të na pasurojë me njohuri të reja trurin tonë.
Nga sonte raftet e bibliotekat tona do të jenë më të pasura me librin “Busulla e artë” të autorit Gazmend Çitaku.
(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të librit “Busulla e artë” në Bibliotekën e Qytetit – Ulqin, më 28 mars 2022)
