Ulqin – Përsëritja e zgjedhjeve lokale në vendvotimin numër 5 (Bashkësia Lokale II – “Palma”) në Komunën e Ulqinit nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në rezultatin përfundimtar sa i përket numrit të mandateve të këshilltarëve të fituar nga listat garuese.
Megjithëse ka pësuar rritje të numrit të votave, koalicioni “Fillimi i ri” nuk ka arritur të fitojë mandatin e 15-të, kurse Koalicioni Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, si dhe Forca e Re Demokratike kanë arritur t’i ruajnë mandatet e fituara në zgjedhjet lokale të mbajtura më 27 mars. Kështu në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, koalicioni “Fillimi i Ri”, i përbërë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Demokratike, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa Shqiptare do të ketë 14 këshilltarë, Koalicioni Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Boshnjake 6 këshilltarë, Koalicioni UDSH-LD në MZ 6 këshilltarë, Forca e Re Demokratike 5 këshilltarë dhe Demokratët 2 këshilltarë.
Pjesëmarrja në vendvotimin 5 në zgjedhjet e përsëritura (6 prill 2022) ishte rreth 65 për qind, që do të thotë 7 për qind më shumë se në votimin e parë. Numrin më të madh të votave e ka fituar koalicioni UDSH-LD në MZ 207 nga 146 sa kishte pasur më 27 mars. Pas tij renditet koalicioni “Fillimi i ri” me 204 vota nga 142 në votimin e parë, Forca e Re Demokratike 76 apo nëntë vota më shumë, Demokratët 6 vota apo dhjetë më pak, dhe koalicioni PDS-PB vetëm dy vota apo 65 më pak.
Zgjedhjet u përsëritën pas ankesës së Koalicionit “Fillimi i ri” për parregullsi në vendvotimin 5, në zgjedhjet lokale që u zhvilluan më 27 mars 2022.
(Kohapress)
