Gatishmëri për mbështetjen e projekteve kulturore

Tuz/Ulqin – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar të premten dhe të shtunën vizitë pune në komunat e Tuzit dhe Ulqinit.
I shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka – Hoxha, dhe bashkëpunëtorët e tyre, ai është takuar në Tuz me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Në deklaratën për shtyp të Komunës së Tuzit theksohet se në takim është nënvizuar bashkëpunimi i deritashëm i kësaj komune me investitorë nga Kosova që tashmë janë të pranishëm në Komunën e Tuzit, siç është firma “Pestova” me fabrikën e patatinave, pastaj firma ETC që po punon në hapjen e një qendre tregtare si dhe me fillimet e para të investimeve për një fabrikë të vajit nga ndërmarrësi Abdurahman Qesko.
Ministri Çeku shprehu kënaqësinë me fillimin e mbarë të marrëdhënieve të Kosovës me Komunën e Tuzit në këtë segment dhe gatishmërinë për vendosjen e marrëdhënieve të ngushta në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Tuzit.
Gjatë vizitës në Tuz, delegacioni i kryesuar nga ministri Çeku është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile që merren me kulturë dhe trashëgimi kulturore, si dhe ka vizituar Shtëpinë Muze të Dedë Gjo’ Lulit në Hot.

Në Ulqin ministri Çeku është pritur nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, me të cilin kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit institucional me qëllim të promovimit, ruaajtjes dhe zhvillimit të kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
“Mbi nevojën e themelimit të strukturave të qëndrueshme kulturore, të cilat do të mbështeteshin vazhdimisht për projekte konkrete nga institucionet e Republikës së Kosovës, me qëllim ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi”, ka thënë kryetari i KKSH-së, Faik Nika.
Edhe në Ulqin Çeku është takuar me organizatat joqeveritare që merren me kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Ai po ashtu ka vizituar Kalanë e Ulqinit dhe Muzeun e Qytetit.
Ministri Çeku ka thënë se ka ardhur për t’u njohur me situatën në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe me kërkesat e shqiptarëve në Malin e Zi në këto fusha. Ai ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar projekte konkrete kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat