Pionier i muzikës artistike në Kosovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës dhe Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të dielën, më 3 prill 2022, organizuan mbajtjen e Akademisë përkujtimore në shënim të 40-vjetorit të vdekjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, i cili u lind dhe u rrit në Guci.
Në këtë organizim mori pjesë muzikantja Rreze Kryeziu. Ajo foli për vlerën e kompozitorit të ndjerë dhe peshën e krijimtarisë së iniciatorit të jetës së muzikës artistike profesionale në Kosovë. Kryeziu në fjalën e rastit u shpreh: “Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptar është pikërisht kompozitori Rexho Mulliqi. Së bashku me kompozitorin Lorenc Antoni, jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë… Rexho Mulliqi njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë, jo vetëm për faktin se ka krijuar bazat moderne të një krijimtarie muzikore, por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë. Ai konsiderohet të jetë personazhi kryesor i muzikës artistike të shqiptarëve, ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërtetë ishte prezent në veprat e tij, por gjithmonë i trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane”.
Sa i përket pasurimit të literaturës muzikore në vend, zonja Kryeziu theksoi që kompozitori Mulliqi kishte stilizuar gjithashtu shumë këngë e valle popullore në gjuhën shqipe, dhe shtoi se “për qëllime të futjes së programit muzikor në gjuhën shqipe në radio dhe për të pasuruar literaturën muzikore në vend, Rexho stilizoi shumë këngë dhe valle popullore në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh se ajo ishte shpesh privuar dhe e mangët gjatë kësaj periudhe. Gjithçka që kompozoi Rexho Mulliqi ishte shqiptare… Ky kompozitor harmonizoi e stilizoi mbi 50 këngë popullore, ndër të cilat dallohen: ‘Një lule’, e shkruar për solo sopran, kor dhe orkestër, ‘Lulëzoi fusha, lulëzoi mali’, për dy solistë, kor dhe orkestër, dhe ‘Zambaku i bardhë’, po ashtu për solistë, kor e orkestër”.
Ndonëse në mungesë të kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi, nuk mungoi letra e tij, të cilën e lexoi moderatori i Akademisë përkujtimore, z. Dardan Selimaj.
Rudi kishte përshkruar kohën, hapat dhe vështirësitë e kompozitorit. “Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë korrekt me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, ai kishte njohje më tepër të veprimtarisë së kompozitorëve ‘stilistikisht më të përmbajtur’, sesa atyre ‘radikalistëve’ të tipit të treshit vjenez (Shoenbergut, Bergut, Vebernit)… Pra, ai kishte një njohje të mirë të kompozitorëve, që idiomën krijuese e formonin në muzikën tonale, dmth për muzikën në të cilën përfshihen drejtime si neoromantizmi, neobaroku, etj, e sidomos të kompozitorëve të shkollave nacionale. Rexhoja në strukturimin harmonik, meloritmik, dhe në organizimin formal të veprës së tij, qëndron në suaza të krijimtarisë së këtyre kompozitorëve, duke mos tentuar seriozisht ta bëjë një hap më tej jashtë bazave të këtij sistemi”, u shpreh me admirim Selimaj.
Përveç këtyre fjalimeve, pjesë e kësaj ceremonie përkujtimore ishte edhe interpretimi i dy veprave të kompozitorit, i cili u paraqit nga solistë të rinj.
Përkujtojmë që Rexho Mulliqi vdiq në Prishtinë në vitin 1982 dhe me nderimet më të larta u varros në varrezat e qytetit të vendlindjes, në Guci, të cilën e donte shumë dhe vazhdimisht sa ishte në jetë e vizitonte me bashkëshorten, këngëtaren, të njohur si “bilbilin e Kosovës”, Nexhmije Pagarushën.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat