Nën ethet e rezultateve të zgjedhjeve lokale

Ulqin – Dita e Komunës së Ulqinit – e shtuna e parë e muajit prill, këtë vit u shënua nën ethet e rezultateve të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën të dielën më 27 mars 2022.
Kuvendi solemn, që u mbajt të shtunën në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës, u karakterizua nga atmosfera e zymtë dhe pjesëmarrja e ulët e vetëm disa dhjetëra vetëve, ku vërehej mungesa edhe e shumicës së këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Në fjalën e rastit, kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, ka thënë se sot Ulqini është qytet modern evropian, i cili kërkon administratë bashkëkohore, të avancuar dhe të orientuar nga qytetarët.
“Periudha pas nesh ka qenë mjaft sfiduese dhe e komplikuar në të gjitha nivelet, si lokale, shtetërore, por fatkeqësisht jemi dëshmitarë edhe në nivelin global”, ka thënë ai.
Daboviq ka folur për të arriturat gjatë një viti prej kur është në krye të Komunës së Ulqinit.
“Puna ime është transparente dhe e orientuar drejt kërkesave dhe sugjerimeve të qytetarëve… Vitin pas nesh ia kam kushtuar ndërtimit të disa prej shtyllave elementare në të cilat bazohet çdo qeverisje lokale demokratike. Jemi përpjekur, shpresoj edhe kemi arritur, që me promovimin e shembujve pozitivë të aktiviteteve shoqërore të dobishme të ndikojmë në ndjesinë e përkatësisë së komunitetit dhe përgjegjësisë kolektive të qytetarëve të Ulqinit”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka veçuar realizimin e projektit të kanalizimit për katër lagje të qytetit, pastaj rritjen e mbështetjes për sportin, fëmijët dhe të rinjtë, OJQ-të etj.
Ai ka thënë se është i bindur që Ulqini do të vazhdojë zhvillimin e tij dinamik, të qëndrueshëm dhe do të shfrytëzojë çdo ditë potencialet e tij të mëdha zhvillimore.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Haxhi Sulejmani, ka thënë se të gjithë duhet të jemi krenarë që jetojmë në këtë qytet në të cilin kanë jetuar dhe për të cilin kanë luftuar paraardhësit dhe gjeneratat para nesh.
“Ata këtij qyteti i kanë dhënë shumë, por vepra më e madhe e tyre është vetë Ulqini dhe ne që jetojmë këtu”, ka thënë ai, duke shtuar se “ky qytet i vogël, por me të kaluar të lavdishme dhe të bujshme, ka dhënë shumë figura të shquara në shumë fusha”.
Në pjesën festive të programit kanë luajtur Orkestri i harqeve i Qendrës së Artit – Elbasan, me dirigjent Blerim Narazani, si dhe kanë kënduar tenorët e njohur Kastriot Tusha e Josif Gjipali, si dhe sopranoja nga Ulqini, Gjylie Pelingu – Hoxha.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Komunës së Ulqinit është mbajtur edhe koncerti tradicional i Shkollës së Arsimit Muzikor dhe Baletit – Ulqin, konferenca shkencore me temë “Roli i teknologjisë në zhvillimin ekonomiko-juridiko-social në nivel global gjatë pandemisë Covid-19”, organizuar nga Instituti për Hulumtime Shkencore dhe Zhvillim në sallën e konferencave të Hotelit “Mediteran”, është hapur Panairi i Artizanateve dhe Agrobiznesit “Mix Art International Fest 3”, organizuar nga Shoqata “Globus Art” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, si dhe është mbajtur Turneu XVIII Ndërkombëtar i Karatesë “Ulqini Open” në sallën e Shkollës Fillore “Marshall Tito”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat