Tuz – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, znj. Ariana Zherka-Hoxha, u prit të hënën në Komunën e Tuzit nga kryetari Nik Gjeloshaj.
Në njoftimin për opinion të Komunës së Tuzit thuhet se gjatë takimit, ku morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj dhe nënkryetari i Komunës Haris Ramoviq, ndër të tjera është diskutuar mbi planet dhe projektet që komuna po bën për zhvillimin e vendit. Ndër të tjera është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional në sektorë të ndryshëm, e mbi të gjitha në fushën e kulturës dhe artit, thuhet në njoftim.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka thënë se Kosova mbetet ndër partnerët më të afërt të tyre për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e biznesit, gjë të cilën ambasadorja Zherka-Hoxha u zotua se do ta vazhdojë edhe në të ardhmen, thekson njoftimi.
Znj. Ariana Zherka-Hoxha, u emërua ambasadore e Republikës së Kosovës në Mal të Zi në muajin janar të vitit 2022.
t. u.
