“Ledia si poeteshë na paraqitet me gegënishten e saj si mjetin më sublim të shprehjes, e jo si kokëfortësi apo rebelim, që edhe do të ishte i arsyeshëm. Si shembull të mirë të përdorimit të gegënishtes, Ledia kishte vetëm Martin Camajn, që deri në vdekje i mbeti besnik asaj, duke e pasuruar dhe duke e standardizuar atë. Edhe pse poetika e Camajt është për t’u vlerësuar lart, Ledia nuk e kopjon atë por me poezinë e saj i bëhet krah i djathtë”, ka thënë në vështrimin e tij studiuesi i letërsisë, Nikollë Berishaj.
Me mbrëmjen autoriale me poeten shkodrane Ledia Dushi, që u mbajt të shtunën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, filloi edicioni i 29-të i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, i cili organizohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Në emër të organizatorit, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, i cili ka thënë se “Kalimera Poetike” vijon të sjellë ajkën e letërsisë shqipe dhe se edhe në këtë edicion do të organizohen tri mbrëmje autoriale, me tre krijues të shquar shqiptarë.
Në bashkëbisedim me udhëheqësin e mbrëmjes autoriale Dr. Haxhi Shabani, poetja është përgjigjur shumë pyetjeve mbi krijimtarinë e saj.
Për çështjen e shkrimit në gegërisht, Dushi ka thënë se është vështirë të kesh një përjetim të jashtëm në lidhje me faktin e përdorimit të gegërishtes, për të vetmen arsye se është si të japësh llogari për qenien tënde, për të menduarit dhe të dëgjuarit, për diçka që është krejt e zakonshme dhe e natyrshme për të.
Në konstatimin e Shabanit se lidhja me fëmijërinë, muzikën, natyrën, përgjithësisht shihet qartë në poezinë e saj, Dushi ka thënë se “fëmijënia është krejt pusi nostalgjik në njifarë mënyret i personit që shkruan, sepse nënkupton tan’ momentin apo kohën e parapërgatitjes”.
Sipas saj, poezia fillon të shkruhet shumë më herët sesa koha fizike kur realisht shkruhet.
“Nëse unë kam fillu të shkruaj 13 vjeç, ky moment nuk bart në vete asgja t’papritun, sepse vjen si pasojë e shllimeve, meditimeve të mbrendshme, të cilat sigurisht munden me kenë të pavetëdijshme, po mahen mend dhe kuptohen kjart nga raporti gjithashtu i pavetëdijshëm njerëzor që personi venos me elementa t’nryshum”, ka thënë poetja.
Antiteza është një ndër figurat stilistike që Dushi e përdor shumë në poezinë e saj, krahas figurave të tjera.
Lidhur me këtë, ajo ka thënë se gjendja më e posaçme, më e errët dhe më prodhimtare te krijuesi duket të jetë qenia ndërdyzash.
“Praktikisht krijuesi është gjithmonë nërdyzash, është gjithmonë n’dyshim. Mendoj nuk mundet me pasë nji qëndrim t’kjart jo për shkak të mungesës së kjartësisë, pra qi vjen nga moskuptimi apo mosdallimi, por për shkak se kur bahet nji analizë nëse e sheh thell’, ma s’shumti mbisundon moskuptimi. Prandaj edhe mundesh me u gjetë n’momentin ‘me jetu s’munem, por as me vdekë s’du’. Menoj nërdyzi është thelbi i poezisë në njifarë mënyre”, është shprehur Dushi.
Një vështrim mbi krijimtarinë e autores e ka paraqitur studiuesi i letërsisë dhe përkthyesi Nikollë Berishaj.
Ai ka thënë se poetesha Ledia Dushi vjen nga një djerrinë poetike gati gjysmëshekullore, ku më shpesh kultivoheshin hithat dhe ferrëlagëset që lartësonin kulte njerëzish dhe ngadhënjim idesh, sesa ndjenja, lule, flutura e shpendë… të vetëdijshme për bukurinë, por edhe kalueshmërinë e tyre.
“Që nga fillimet e saj ajo brumin e vet poetik nuk e kërkon jashtë vetes, e vetëdijshme plotësisht se shoqëria në të cilën po i hidhte vargjet e para nuk ishte e lirë, por vetëm jetonte në iluzionin e lirisë”, ka thënë Berishaj.
Ai ka theksuar se përmbledhjet e poezisë së Ledia Dushit nuk mund t’i shohim autonome njërën nga tjetra, por si vazhdimësi, si zhvillim i poetikës së saj.
“Ledia si poeteshë na paraqitet me gegënishten e saj si mjetin më sublim të shprehjes, e jo si kokëfortësi apo rebelim, që edhe do të ishte i arsyeshëm. Si shembull të mirë të përdorimit të gegënishtes, Ledia kishte vetëm Martin Camajn, që deri në vdekje i mbeti besnik asaj, duke e pasuruar dhe duke e standardizuar atë. Edhe pse poetika e Camajt është për t’u vlerësuar lart, Ledia nuk e kopjon atë por me poezinë e saj i bëhet krah i djathtë”, ka thënë Berishaj.
Duke folur për përvojën e tij të përkthimit të poezive të Dushit, Berishaj ka thënë se për të si përkthyes “Ledia është interesante dhe sfiduese”.
Në fund të mbrëmjes, vetë poetja ka lexuar disa poezi për publikun e pranishëm.
Mbrëmja autoriale është realizuar në kuadër të projektit “Kultura na bashkon”, të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Organizata Turistike Ulqin.
i. k.
