Ulqin – Asnjë forcë politike nuk ka arritur të sigurojë shumicën absolute në zgjedhjet lokale që janë mbajtur të dielën në Ulqin.
Sipas rezultateve paraprake, më së shumti vota ka fituar koalicioni “Fillimi i ri”, i përbërë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Demokratike, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa Shqiptare, duke siguruar 14 mandate të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Ulqin.
Pas tij renditet koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Boshnjake, i cili ka fituar gjashtë mandate, aq sa edhe koalicioni tjetër – Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Pesë mandate ka fituar Forca e Re Demokratike, kurse Demokratët dy mandate të këshilltarëve.
Megjithëse asnjë parti nuk ka arritur të fitojë shumicën e duhur për të krijuar pushtetin, kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, ka shpallur “fitoren absolute në zgjedhje” pas publikimit të rezultateve.
“Siç e kemi paralajmëruar, lista jonë është më shumë se dyfish më e fortë se lista e dytë zgjedhore”, ka thënë ai, duke shtuar se ulqinakët këtë radhë nuk kanë pasur dilemë dhe se mendon që duhet t’i kthehemi qytetit dhe të fitojmë administratën e re.
Befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ka qenë koalicioni i përbërë nga dy partitë më të vjetra shqiptare – Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, që kanë fituar gjithsej gjashtë mandate.
“Ky është një rezultat historik, kemi dyfishuar rezultatet nga zgjedhjet e kaluara. Në zgjedhjet e ardhshme do t’i dyfishojmë përsëri, sepse kjo është shenjë se po e kthejmë besimin e ulqinakëve dhe se do të punojmë vetëm për interesin e tyre”, ka thënë bartësi i listës së këtij koalicioni dhe njëherazi kryetari i UDSH-së, Mehmed Zenka.
Rënien më të madhe në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale e kanë pësuar PDS dhe Forca e Re Demokratike, që në përbërjen aktuale të Kuvendit të Komunës së Ulqinit kanë nga tetë këshilltarë.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka thënë se nuk janë të kënaqur me rezultarin e arritur, “i cili është i ulët jo vetëm për shkak të sulmeve që na janë bërë nga të gjithë dhe për shkak të garës se pandershme në shkelje me rregullat e lojës, por edhe për shkak të gabimeve apo lëshimeve tona”.
Ai ka falënderuar çdo votues që ka votuar për këtë parti politike, përkundër presioneve dhe joshjeve për korrupsion, si dhe ka thënë se do të japin maksimumin për t’i dhënë Ulqinit “një qeverisje komunale të ndershme dhe të drejtë në mandatin e ardhshëm”.
Për herë të parë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, këshilltarin e vet do ta ketë Alternativa Shqiptare, e cila ka qenë pjesë e Koalicionit “Fillimi i ri”.
Kryetari i ASH-së, Nik Gjeloshaj, ka thënë se si partia më e fuqishme shqiptare tani do të jenë të pranishëm edhe në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, pas Plavës, Gucisë, Malësisë dhe kryeqytetit Podgoricës.
“Qëllimi partiak e politik i ASH-së është realizuar, e për këtë falënderoj mbështetësit tanë për përkrahjen e fuqishme, si një fillim i mbarë, për ASH e koalicionin tonë”, ka deklaruar ai.
Për 33 vende këshilltarësh sa ka Kuvendi i Komunës së Ulqinit, në zgjedhjet vendore të së dielës kanë garuar pesë lista zgjedhore, ku të gjitha kanë arritur të sigurojnë mandate në përbërjen e ardhshme të tij.
Nga 20 392 votues të regjistruar në regjistrin e zgjedhjeve, kanë votuar pak më shumë se 50 për qind e tyre.
Zgjedhjet kanë kaluar në atmosferë të qetë dhe pa ndonjë incident, megjithëse disa parti politike janë ankuar për parregullsi.
Krahas Ulqinit, të dielën janë zhvilluar zgjedhjet lokale edhe në Beran.
(Kohapress)
