Asgjë para zgjedhjeve lokale në Ulqin dhe Beran

Përkundër entuziazmit fillestar se pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi të kryeministrit Zdravko Krivokapiq do të formohet një qeveri e pakicës, mbështetur në memorandumin që nënshkruan koalicioni “E zeza mbi të bardhë” e kryesuar nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e pakicave, kjo deri tani nuk ka ndodhur.
Zëvendëskryeministi në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Qytetare URA, Dr. Dritan Abazoviq, i cili është mandatuar nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për formimin e qeverisë së re, ka pranuar se asgjë e rëndësishme në lidhje me formimin e qeverisë së pakicës nuk do të ndodhë para përfundimit të zgjedhjeve lokale në Ulqin dhe Beran më 27 mars.
Këto zgjedhje, pavarësisht se janë lokale, po zhvillohen nën hijen e krizës politike në Mal të Zi, ku Kuvendi i Malit të Zi është bllokuar, ndërsa qeveria është shkarkuar. Ato shikohen edhe si një test i vogël për zhvillimet e ardhshme politike në Malin e Zi, përfshirë edhe formimin e qeverisë së re.
Abazoviq ka thënë se në Qeverinë e re pakicë të Malit të Zi, që sipas tij pritet të formohet shpejt, nuk do të ketë njerëz që do të pëlqehen nga të gjithë.
“Do të mundohemi të jemi gjithëpërfshirës, ky është obligimi ynë”, ka theksuar ai.
Abazoviq ka thënë se vendimet që e presin qeverinë e pakicës janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat