Mali i Zi mbetet objektiv tërheqës për Moskën dhe për këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e saj evroatlantikë duhet t’i shtojnë përpjekjet për të kundërshtuar veprimet armiqësore të presidentit rus Vladimir Putin, ka deklaruar zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për gazetën “Vijesti”.
“Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën. Shtetet e Bashkuara, duke punuar me partnerët evroatlantikë, duhet t’i shtojnë përpjekjet kolektive për të kundërshtuar veprimet armiqësore të Putinit, veçanërisht përdorimin e luftës hibride, siç janë sulmet kibernetike dhe dezinformimi”, ka thënë ai.
Sipas Escobar, kjo ideologji e gabuar e Kremlinit ka bërë që të ngadalësojë dhe të pengojë integrimin evroatlantik të Ballkanit.
“Putini nuk pranon një rregullim bazuar në rregullat që kanë sunduar botën që nga Lufta e Dytë Botërore, e që vendet duhet të jenë në gjendje të zgjedhin politikën e tyre të jashtme dhe të bëjnë aleancat e tyre. Lufta e tij kundër Ukrainës është një luftë kundër kësaj premise. E njëjta ideologji e gabuar ka bërë që Kremlini të ngadalësojë dhe të parandalojë integrimin evroatlantik të Ballkanit”, u shpreh Escobar.
Duke ndjekur politikën e Bashkimit Evropian, Qeveria e Malit të Zi ka vendosur sanksione kundër Rusisë më 1 mars, por nuk i ka marrë vendimet e nevojshme për t’i zbatuar ato.
Ndër të tjera, Qeveria nuk ka marrë vendim për ndalimin e mediave ruse, Russia Today dhe Sputnik, në Mal të Zi – për të cilën gjë është paralajmëruar nga BE-ja, e cila i ka ndaluar ato qysh më 2 mars.
Më 2 mars, Mali i Zi ka votuar për një rezolutë në Kombet e Bashkuara, e cila ka dënuar ashpër agresionin rus dhe ka kërkuar fundin e përdorimit të forcës në Ukrainë.
(Kohapress/REL)
