Ali Gjeçbritaj
ANIJA IME
Shumë gjëra njeriu ëndërron në jetë
Sa shumë plane bëjmë e gjë nuk dimë
Koha na ikën shpejt, pa e hetuar fare
Dallgët na i rrahin brinjët
Në dete e në oqeane
Na qesin në breg, na lënë në rërë
Na përplasin për shkëmbi
Por na lënë gjallë
Anija vetë lundron në oqean
Na bartë mbi valë anekënd
Vala na lë mes dallgëve
E ne prapë mbetemi me shpresë
Sa shumë kohë kaluan
Në shpinë deti lundruam
E një ditë, hiç pa pritur
Anija në breg
Të përgjumur na qet.
GJURMË
Barra e rëndë e largimit, jashtë flakë e tym
të kaluarën sfiduam me bardhësinë e shpirtit.
Arritëm ta ruajmë në njomësinë e reshjeve të bukurën.
Në gjoks tek zemra hajmalitë e vjetra thurur me groshatarë
kanë ruajtur gjithmonë mirësinë.
Shamia e bardhë mbështjell edhe sot flokët e saj.
Pjesën e botës mbërthen me mirësi
gjurmë që s’i fshijnë dot as shiu i dendur i vjeshtës.
FLETË LIBRI QË S’U SHKRUAN KURRË
koha shpalos fletët e kalendarit të vjetër
dallgë në tempullin e paqes që u ngrit me afshin tonë
përplasen sonte fort flatrat e pëllumbave bilur
ruajnë paqen me degëza ulliri në gojë fluturojnë
jo vetëm data, po as cili vit ka qenë nuk më kujtohen
mbështetur jam mbi shpatullat e mureve në kala
shijoj nektarin e natës me yje nga buzët e virgjëra
Rozafa ushqen me gji foshnjën e uritur
me dorë lëmon lehtë flokët e djalit të saj
nuk e di pse sonte habiteni me sjelljen time
pse në heshtje nën bedenat e fortesës
fus duart në gjinjtë e fryrë të princeshës
o Zot më fal që shkela kodin e mirësjelljes
frymëzimi më çoi aq larg në marrëzi
e mendja ime e humbur hyri në kujtimet kohë
nuk pyeta as edhe një herë çfarë ka trupi i saj që dridhet
unë sonte zgjodha harkun e hënës në rrugëtim
nuk fjeta derisa rrezja e parë lëshoi dritë mbi trupin e saj
nuk shkrova as edhe një varg të vetëm sonte
u skuqa si prushi, më dogje si gushti
u bëra fletë libri që s’u shkrua kurrë.
NUK KAM FRIKË
nuk kam frikë nga minjtë
edhe pse çajnë thesin e drithit
minjtë nuk i frikësohen mullirit
unë nuk jam thes drithi
nuk u frikësova nga pafytyrësia
e injorancës njerëzore
as nga buzëqeshjet që prekin faqet e mia
as nga ata që menduan se vdiqa
nga i çmenduri nuk kam frikë
nga pleqëria jo se jo
ngadalë mosha po na ikë
nuk mbështes askënd për muri
as borxhe nuk kam hiç
kësaj pune i kam vënë pikë
andaj edhe nuk kam frikë.
MBURRAVECI
Një ditë një mburravec
Doli në rrugë i skuqur spec
Nuk kishte aspak mëshirë
E vriste dritën me brirë.
Një plak që e pa aty
Pa një e pa dy i tha në sy
Qenke një thes që shkon në këmbë
Ruaje thesin mos e brej me dhëmbë.
Mburraveci kryeneç
Ik or plak, ik or dreq
Asgjë s’paske marrë vesh
Unë jam ai që luaj treç.
Treçi yt është jetëshkurtër
Do ta shpojë thesin ty
Do rrëzohesh si dominotë
Do të hyjnë therrat në sy.
VALË DETI
Nëse mundesh dil para tyre
sa herë që kanë nevojë për ty
të shkarkojnë kripën që i rëndon
në shpinë.
Nëse mundesh dil pas tyre
sa herë që kanë ngarkesë të rëndë
kërkojnë peshën ta lehtësojnë
të mos mbyten.
Nëse mundesh jepu pak vrull
sa herë që u duhet shtysa
kanë nevojë për vegla pune.
Ti e di si janë punët me detin
aromë jodi me valë të kriposura
na i çajnë brinjët e brishta.
Ti e di mirë se deti ekziston
dije edhe më mirë mos ke dyshim
valë deti jemi unë dhe ti, miku im.
BOTË MEMECE
Sa shumë do doja sonte të jam memec
Të flas me sy, mos të dëgjoj me veshë
Dua sonte të flasë vetëm heshtja
Dua as ajo të mos hap gojë.
Sonte eshtrat më janë ndarë nga mishi
Duroj e vetëm duroj, zë nuk qesë jashtë
Në heshtje numëroj shkopinjtë e metaltë
Që më thyen xhamat e syzave të mia.
E unë sonte heshtë e vetëm heshtë
Zë i trishtë sonte është heshtja ime
Sonte bota memece më bëri për vete
Në strofullin e saj mbretëron errësira.
KOHË E MBRAPSHTË
na trete si kripa në ujë
ëndrrat na i vrave
bartëse parazitësh
e sahanlëpirësesh
vrave fjalët e shenjta
vlerat morale
fjalën që e dhamë
në qafë na more
me gisht në gojë na le
oreksin dot s’e ndale
deri në kupë të qiellit
mbretërinë e shtrove
dritë nuk do kesh
as në qiell, as në tokë
kohë e mbrapshtë
në puse të shterur
një ditë ujë do pish
në perëndim gjithsesi
do shoqërohesh me vetminë
nuk bëhemi gazi i botës
që të të ndjekim ty.
IDILË E SHUAR
Me thonj e gërvishta
zemrën time
kur e shoh veten në pasqyrë
plagët e shpirtit
flejnë në shtratin tënd
gjumë nuk kam
përpëlitem, dremis
jetoj i pafajshëm
duroj dhembjet
e nata rrugëton
me vuajtjen time.
Sonte jam një trup
që bredh në hapësirë
me trëndafil të tharë në dorë
në brendi të vetmisë
vrapoj të zë idilin që u shua
mallkoj kohën që iku
dhe lotët që s’u shterën kurrë.
PLAGËT E MIA
Natës ia tregova plagët
edhe gjilpërën e ndryshkur
që qepi çarjet në trupin tim
kur zbardhi dita, filloi shiu
pikat më pastruan plagët
kur u hap moti
dielli më ngrohi trupin
mendja m’u kthjellua
ditës ia shova heshtjen
nën qiell koha ndriti
plagët e mia dolën sheshit
turma njerëzish vrapuan
koha me kujtesë u vjen pas.
KOHË, AH KOHË
Qetësia gjithandej mbretëron
në kokat tona vërdallë sillet kujtesa
bora ka rënë në mal, ka zbardhur flokët
mbi vetulla qeparisët përkulur janë
në bredhje heshtur kërkojnë shokët.
Në rrugicat e ngushta të qytezës së vjetër
kujtimet kanë lënë gjurmë shprese.
Hapat tonë në rrugët me kalldrëm
nuk flasin, përshëndesin me heshtje
sot janë bërë shurdhmemece.
Në stolat e parkut mbetur në vetmi
ëndrrat janë lidhur në nyje të mëndafshta
asnjëri s’i kërkon sot bredhjet në rrugë
si lypsari shtrirë në prag i vetmuar jam
me sy të përlotur e duar të shtrira mbi gjunjë.
Botës së pamëshirshme i kërkoj lëmoshë
me kafshatë në gojë pëshpëris lehtë
thinjat në kokë udhën më kanë zënë
peng në kohë hapësira shkallët ka vënë
kohë, ah kohë, s’e mbajte fjalën e dhënë.
SHTRËNGATË MOTESH
Ndiej shtrëngatë në pullazin e fildishtë
Furtunë a madhe, qielli çahet
Viktimat e daljes së dimrit mes resh
Përpëliten për jetë a mort.
Të moçmit me të drejtë kanë thënë
Hamsini i zgjatë ditët, ngricat s’i largon
Shpatullat tona të ngrira janë
Duhet pritur kryeviti, ngrohja të fillojë.
Kurban bëjmë në fillimvitin e ri
Nuk i therë kasapi, as bisha në mal
Xhaketën në gozhdë në mur e varim
Deri në shtegtim të motit tjetër.
(Nga përmbledhja në
dorëshkrim “KOHË”)
