Kërkohet mbështetje institucionale nga Kosova

Prishtinë – Një delegacion i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, i kryesuar nga kryetari Faik Nika, zhvilloi të premten në Prishtinë takime me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës – kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Përfaqësuesit e KKSH-së i njohën krerët e Kosovës me pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi, zhvillimet aktuale politike në Mal të Zi, problemet me të cilat përballen shqiptarët, diskriminimin e trevave të banuara me shqiptarë, rënien e numrit të shqiptarëve, reflektimin e luftës në Ukrainë në situatën në Mal të Zi etj.


Ata i falënderuan për mbështetjen e deritashme dhe kërkuan më tepër mbështetje institucionale nga Kosova. Disa nga problemet që u theksuan kanë të bëjnë me rritjen e kuotave për studentët shqiptarë që duan të studiojnë në universitetet publike të Kosovës, zgjidhjen e problemit të pensionistëve shqiptarë nga Mali i Zi të cilët kanë punuar më herët në Kosovë, ndihma me projekte konkrete në fushën e arsimit dhe kulturës, ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë etj.


Në takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është biseduar për “thellimin e bashkëpunimit institucional, me qëllim mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe politike të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe avancimin e identitetit kulturor e gjuhësor”.
Kryeministri Kurti ka premtuar se të gjitha kërkesat e shtruara me shkrim do t’u përcillen ministrive përkatëse.
Në takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, delegacioni i KKSH-së e ka njohur atë me situatën aktuale në Mal të Zi dhe pozitën e shqiptarëve.
Kryetari Konjufca është shprehur se Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë raporte të mira fqinjësore dhe tashmë edhe një përcaktim të qartë gjeostrategjik dhe transatlantik.
“Zhvillimet e fundit shqetësuese në Ukrainë janë shenjë se ne duhet të forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Të njëjtat shqetësime përfaqësuesit e KKSH-së i kanë ndarë edhe në takimin me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Krerët e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e KKSH-së janë pajtuar për avancimin e bashkëpunimit dhe domosdoshmërinë e përkrahjes së shqiptarëve në Malin e Zi.
Delegacioni i KKSH-së përbëhej nga kryetari Faik Nika, nënkryetari Smajl Maliq Çunmulaj, Ali Gjeçbritaj, Ali Daci dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj. Po ashtu në takime ka marrë pjesë Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka – Hoxha.


Takim me studentët shqiptarë nga Mali i Zi

Në sallën e hotelit “Sirius” në Prishtinë, të enjten mbrëma delegacioni i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi ka zhvilluar një takim me studentët shqiptarë nga Mali i Zi që studiojnë në Prishtinë.
Disa nga studentët kanë treguar për problemet e tyre me të cilat janë përballur apo ballafaqohen, si numri i vogël i kuotave në disa programe studimi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, mungesa e kuotave të specializimit në fushën e mjekësisë për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi etj.
Në takim është konstatuar se arsimimi i lartë në gjuhën amtare, sidomos në institucionet e arsimit të lartë në Prishtinë, ku studiojnë një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë, ka ndikim pozitiv në formimin e identitetit të tyre kombëtar.
Po ashtu është theksuar nevoja e organizimit të studentëve shqiptarë nga Mali i Zi në një shoqatë, e cila do të përfaqësonte interesat e tyre.
Shqetësimet e shprehura nga studentët u janë përcjellur autoriteteve të Kosovës në takimet që delegacioni i KKSH-së ka zhvilluar të premten.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat