Rrezikoi jetën e vet për të shpëtuar nga vdekja gruan e panjohur

Djaloshi 21-vjeçar nga Plava, Allen Emshija, ditën e shtunë, më 29 janar 2022, pa u hamendur fare, ka kërcyer në Lumin Moraça dhe nga uji i harlisur, ka nxjerrë gruan e cila është hedhur nga ura pezull (e varur) e Podgoricës, në lumin e akullt me qëllim që t’i japë fund jetës. Fatbardhësisht për të, në momentin e fatkeqësisë pranë ujit është gjendur Aleni, dhe jo vetëm ai, por i vetmi i cili ka pasur zemër trimi (guximtari), që në ditën e ftohtë të janarit të kërcejë në ujë dhe ta shpëtojë personin e panjohur.
“Të gjithë njerëzit i shikoj njësoj, të barabartë me mua. Konsideroj që secili këtë do ta bënte. Nuk mund të lavdërohem bash me këtë, ndonëse më ka befasuar fakti se askush para meje nuk është lëshuar deri te uji, por mund të gjendet ndonjë shkak për këtë”, ka theksuar në deklaratën për media djaloshi nga Plava, Emshija.
Pranë Lumit Moraça, është shprehur ai në vazhdim, është gjendur rastësisht, derisa si në filma me kureshtje ka shikuar se çka bëjnë policët.
“Kam qenë në qendër të qytetit. Derisa kam shkuar drejt urës Milenium, kam vërejtur dy policë duke vrapuar. Kam menduar se shkojnë për të burgosur dikë, dhe me kureshtje kam vazhduar në drejtim të tyre. Kështu të gjithë kemi arritur deri te ura, te e cila ka ndodhur rasti”, ka shpjeguar djaloshi Emshija.
Derisa pjesëtarët e policisë kanë kërkuar mënyrën më të volitshme për të ndihmuar të rrezikuarën me jetë, Aleni, siç thekson ai, ka kërcyer në Moraçën e akullt, të gufatur dhe harlisur.
“Jemi lëshuar sa më afër që kemi mundur ujit, por shkëmbi i lartë rreth pesë metra na ka ndarë nga bregu. Policët kanë shkuar rreth e rrotull, kurse unë kam vërejtur trungun e një druri i cili lëshohej deri te bregu i lumit. Jam kapur për të dhe jam lëshuar sa më shpejtë që kam mundur. Kam zhveshur xhaketën dhe kam kërcyer në Moraçë”, ka bërë me dije Aleni .
Në të gjitha veprimet Alenin e ka ndihmuar fakti se ai është anëtar i Shoqatës së Vëzhguesve “Prokletije” (Bjeshkët e Nëmuna). Thekson se është rritur në qytetin e lindjes, mu rrënxë Visitorit, ku edhe ka mësuar të notojë.
“Nuk kam pasur problem të ballafaqohem me ujin e ftohtë, thënë sinqerisht, as nuk e kam ndier. Por, edhe pse jam rritur në Veri të Malit të Zi, në Plavë, përkatësisht në ujin e liqenit, duhet të pranoj se ka qenë pakëz më vështirë të nxjerrësh personin deri në breg, seç e kam përfytyruar”, është shprehur djaloshi guximtar Alen Emshija.
Pas veprës së guximshme, burrërore dhe humane, Aleni shton se ka dashur që nga vendi i ngjarjes të shkojë i pahetueshëm. Vëmendjen nuk e ka dëshiruar. Ka qëndruar vetëm që të bindet se gruaja të cilën e ka shpëtuar nga vdekja, është në gjendje të mirë.
Me profesion thotë se është punëtor medicinal. I papunësuar. Ka kryer shkollën e mesme të mjeksisë dhe ka regjistruar studimet, por, siç bën me dije ai, për shkak të situatës financiare, është detyruar të heqë dorë nga shkollimi i mëtejmë. Edhe pse ka të kryer stazhin e praktikantit, për të në sistemin shëndetësor ende nuk ka vend. Mbi të gjitha në Podgoricë banon me qira.
Përkundër të gjitha këtyre rrethanave, ato për Alenin nuk kanë qenë pengesë që të shtunën e fundit të muajit janar, me veprën e kryer të guximshme dhe humane të bëhet burrë i vërtetë. Ky djalosh trim, humanitetin e vërtetë dhe trimërinë ua ka treguar dhe dëshmuar të gjithëve në vepër, sepse kur ka kërcyer në lumin e akullt në mjedis të dimrit të shpëtojë një jetë (një të panjohuri), duke mos menduar për sigurinë e vet.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat