“Përshtatje të plotë” me qëndrimet e BE-së

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë larg përshtatjes me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, sidmos me masat ndëshkuese.
Ndonëse këto vende nuk kanë ndonjë detyrë ligjore që ta bëjnë një gjë të tillë, ato përmes Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit kanë marrë obligime politike që të mbështesin qëndrimet e përbashkëta të BE-së në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë dhe që gradualisht të arrijnë përshtatjen e plotë me këto qëndrime.
Sipas burimeve të BE-së, ka dallim të madh mes shteteve të rajonit në nivelin e përshtatjes së qëndrimeve të tyre me ato të BE-së në politikën e jashtme. Në njërën anë janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë “përshtatje të plotë” me qëndrimet e BE-së dhe, në anën vjetër, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia që shpesh dalin kundër qëndrimeve të BE-së. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë një përshtatje ”pothuajse të plotë”. Këto dy shtete shumë – shumë rrallë kanë ndonjë qëndrim kundër BE-së.
Në rastin e Kosovës kjo më së shumti ishte vërejtur kur Kosova vendosi, sipas një marrëveshjeje me SHBA-në, që të hapë Ambasadën në Izrael në qytetin e Jerusalemit, ndonëse BE-ja nuk e njeh atë qytet si kryeqytet të Izraelit.
Kohëve të fundit janë rritur zërat kritikë brenda BE-së, sidomos për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, pasi ato në rastet më të rëndësishme dalin kundër qëndrimeve të BE-së. Një sjellje e tillë, nga disa diplomatë të disa vendeve anëtare, është konsideruar si “arsye për të dyshuar në orientimin strategjik të këtyre vendeve, të cilat kanë shprehur publikisht gatishmërinë për anëtarësim në BE”.
Serbia, e cila publikisht shprehet se “asnjëherë nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë”, në anën tjetër bën përpjekje për të mos e irrituar as Bashkimin Evropian.
Sipas llogaritjeve të Komisionit Evropian, shprehur në përqindje, Bosnja e Hercegovina është e fundit sa i përket përshtatjes së qëndrimeve të saj në politikën e jashtme me BE-në. Ky nivel është vetëm 43 për qind dhe ka shënuar ulje, që ka shkaktuar shqetësim në BE.
Sa i përket Malit të Zi prej kur në këtë shtet ishte formuar qeveria e re, e cila konsiderohej se ka elemente pro Rusisë dhe pro Serbisë, BE me kujdes kishte vëzhguar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të kursit sa i përket qëndrimeve në politikën e jashtme. Por, pavarësisht retorikës nga ana e disa politikanëve, deri më tash është ruajtur niveli i kënaqshëm i përshtatjes së Malit të Zi me BE-në në këtë fushë.
Sa i përket Kosovës, diplomatët kanë thënë se “në parim nuk ka problem”, por ka disa dallime në ato tema, në të cilat ka dallime mes ShBA-së dhe BE-së.
Në BE vazhdojnë të kërkojnë nga shtetet e rajonit që, si dëshmi se vërtet e kanë zgjedhur integrimin në BE si synim të tyre strategjik, ta dëshmojnë këtë edhe në vepër duke e përshtatur edhe politikën e tyre të jashtme me BE-në, pasi kjo është një fushë ku më së miri promovohen edhe vlerat e përbashkëta, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat