Akt humanist i madh

Ulqin – Familja e Allmir Abazoviqit nga Ulqini i ka dhuruar të premten Shtëpisë së Shëndetit në këtë qytet skanerin CT (tomografi e kompjuterizuar), që përdoret për diagnostikimin dhe ndjekjen e sëmundjeve të ndryshme.
Skaneri është blerë nga paratë e grumbulluara për shërimin e djalit të tyre Emros, i cili humbi luftën me sëmundjen dy vite më parë.
Me këtë rast Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin e kanë vizituar zëvendkryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Dr. Jelena Boroviniq – Bojoviq.
Ministrja e Shëndetësisë e ka cilësuar këtë si një ditë të madhe për sistemin shëndetësor në Ulqin dhe për të gjithë qytetarët e tij.
“Nga sot mund të lavdërohemi që qytetarët e Ulqinit posedojnë standard të artë në dignostikim, e ky është skaneri më bashkëkohor, që tani ndodhet në Shtëpinë e Shëndetit Ulqin, falë humanizmit dhe gjestit njerëzor të madh të familjes Abazoviq, e cila i ka dhuruar mjetet financiare për blerjen e këtij skaneri”, ka thënë ajo, duke i shprehur ngushëllime familjes së Allmir Abazoviqit për vdekjen e djalit të tyre.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, ka thënë se është i sigurt se edhe vetë Emroja i ndjerë do të ishte sot krenar për të gjithë ne dhe se beson që ai është në një vend më të bukur sesa ne.
“Në këtë mënyrë është kthyer edhe borxhi ndaj qytetarëve, sidomos të Ulqinit, por edhe të Malit të Zi dhe rajonit si dhe nga të gjitha meridianet, të cilët kanë treguar solidaritet të madh në një moment”, ka theksuar ai.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit – Ulqin, Dr. Sadije Hollaj, ka thënë se donacioni është një hap më afër drejt kompletimit të shërbimit shëndetësor më bashkëkohor.
“Jemi të gëzuar që kemi mundësi t’i ofrojmë këto shërbime edhe në qytetin tonë, sepse në këtë mënyrë do t’i çlirojmë të gjithë nga barra e udhëtimit në institucionet shëndetësore jashtë Ulqinit. Për secilin prej nesh është bekim të jetë i rrethuar me njerëz bamirës dhe shpirtmëdhenj. Le të na shërbejë akti i familjes Abazoviq si udhërrëfyes në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Shtëpia e Shëndetit në Ulqin është i pari institucion shëndetësor i nivelit parësor në Mal të Zi që ofron diagnostikimin me skaner CT.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat