Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” dhe Partia Boshnjake kanë deklaruar të martën se e mbështesin modelin e propozuar nga Koalicioni “E zeza mbi të bardhë”, në krye me Lëvizjen Qytetare URA, për formimin e qeverisë së pakicës si zgjidhje e krizës politike në Mal të Zi.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, kryetarët e këtyre subjekteve Nik Gjeloshaj, Fatmir Gjeka dhe Ervin Ibrahimoviq kanë thënë se janë të bindur që modeli i prezantuar nga Lëvizja URA është real dhe optimal për daljen nga kriza politike aktuale.
“Modeli i qeverisë së pakicës, në këto rrethana politike, mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin aq të nevojshëm dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian. Dhe pikërisht kjo është kërkesa e qytetarëve tanë dhe nevojat e shtetit për të dalë nga spiralja e ndarjes, varfërisë dhe mungesës së shpresës. Prandaj, ne besojmë se mbështetja sa më e gjerë për këtë koncept në Kuvendin e Malit të Zi do të ishte e dobishme për shoqërinë tonë, për harmoninë multietnike të Malit të Zi dhe për ruajtjen e vlerave themelore për të cilat kemi luftuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët të partive parlamentare të pakicave.
Kryetarët e tre subjekteve politike të pakicave kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për konceptin e qeverisë së pakicës. Ata kanë thënë se kjo mbështetje dhe ndihmë do të jetë e nevojshme në të ardhmen në mënyrë që sa më lehtë t’i zbatojnë reformat dhe të avancojnë drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
(Kohapress)
