U miratua Buxheti dhe Plani i investimeve për vitin 2022, si dhe një sërë propozim-vendimesh

Guci – Në seancën e katërt të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë propozim-vendimesh të organeve të qeverisjes lokale, të institucioneve publike dhe të organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë.
Seanca ,të cilën e hapi kryetari i Kuvendit Bujar Hasangjekaj, filloi punën sipas renditjes së pikave të propozuara dhe miratuara të rendit të ditës, me shqyrtimin e propozimit të vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Gucisë për vitin 2022, dhe të propozimit të planit të investimeve po për këtë vit, për të cilat u vendos që shqyrtimi të bëhet në pako.
Propozim-vendimin e Buxhetit për vitin 2022 në mënyrë koncize dhe analitike e prezantoi dhe e argumentoi sekretari për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Mirallem Bektesheviq, i cili ndër të tjera theksoi se Buxheti është zhvillimor i projektuar në shumën 2.335.950,00 euro, dhe i ndarë (i sistemuar) në buxhet operativ në shumën 1.610.250,00 euro, në buxhet kapital në shumën 695.700,00 euro, në rezerva rrjedhëse të buxhetit në shumën 20.000,00 euro, dhe në rezervë të përhershme në shumën 10.000,00 euro, ndërsa propozimin e planit të investimeve për vitin 2022, në mënyrë koncize dhe kronologjike e prezantoi drejtori i Drejtorisë për investime dhe rregullim hapësinor, Shemso Jaroviq, i projektuar në shumën 1.455.500,00 euro, mjete këto të cilat financohen nga buxheti kapital i komunës.
Duke diskutuar dhe debatuar mbi projekt-vendimin e Buxhetit të Komunës për vitin 2022, këshilltari i vetëm i partisë Socialdemokrate në Kuvend, dr. Elvis Omeragiq, ndër të tjera theksoi se buxheti në fjalë është buxhet shpenzues, por sa është shpenzues, aq është edhe jotransparent dhe i paqëndrueshëm dhe si i tillë as për së afërmi nuk i plotëson nevojat dhe standardet e parapara. Këshilltari i PPS-së në opozitë, Llakiq Baboviq, në diskutimin e vet plotësisht mbështeti debatimin e këshilltarit Omeragiq, duke dhënë edhe ca vërejtje të tjera në përmbajtjen e buxhetit. Dy këshilltarët e Koalicionit “Shqiptarët bashkë për Gucinë” në pozitë, Fadil Ulaj dhe Dardan Qosaj, në diskutimet e veta u përqendruan në koncipimin e buxhetit kapital, nga i cili projektohen objektet e infrastrukturës lokale, në radhë të parë të rrugëve lokale, duke u përqendruar në gjendjen e akseve rrugore lokale Guci – Vuthaj, Guci – Grebajë, Guci – Vishnjevë, etj., të cilat janë në gjendje të mjerueshme dhe kërkojnë sanim sa më të shpejtë. Në këtë drejtim ata dhanë vërejtje edhe në përmbajtjen e planit të investimeve për vitin 2022.
Edhe në propozimin e planit të investimeve pati vërejtje dhe sugjerime nga ca këshilltarë të partive në opozitë, në të cilat komentet argumentuese i dha drejtori i Drejtorisë për investime dhe rregullim hapësinor.
Buxheti me votim të hapur u miratua me 21 vota “për”, 3 “kundër” dhe 1 “të përmbajtur”, ndërsa Plani i investimeve u miratua me 22 vota “për”, 1 “kundër” dhe 2 “të përmbajtur”.
Edhe në pikën e tretë të rendit të ditës, në propozim-vendimin për plotësim dhe ndryshim të vendimit për përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërisë për rikonstruksionin e aksit rajonal rrugor Plavë – Vojno Sellë – Krushevë – Guci, në KK Krushevë I dhe KK Krushevë II, Komuna e Gucisë, pati vërejtje dhe sugjerime nga ca këshilltarë. Ai u miratua me 19 vota “për” dhe 2 “kundër”.
Vërejtje dhe sugjerime këshilltarët pjesëmarrës në diskutime (5 sish) patën edhe në propozim-vendimin e dhënies së pëlqimit paraprak për çmimin e ujit publik dhe menaxhimin e ujërave të zeza për persona fizikë dhe juridikë për 2022 të SHPK “Veprimtaritë komunale” të cilin e argumentoi drejtori ekzekutiv i saj, Demir Bajroviq. Ai u miratua me 11 vota “për”, 8 “kundër” dhe 1 “të përmbajtur”.
Këshilltarët gjatë punës së seancës së Kuvendit, propozim-vendimet për dhënien e pëlqimit në ndryshim dhe plotësim të statutit të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Guci, dhe në atë për dhënien e pëlqimit të Statutit të Organizatës Turistike në Guci, u miratua me automatizëm, i pari njëzëri, kurse i dyti me 19 vota “për” dhe 1 “kundër”.
Në vazhdim të punimeve të seancës, e cila zgjati rreth tri orë, këshilltarët pa pjesëmarrje në debatim, njëzëri dhe me shumicë votash miratuan Programet e punës dhe Planet financiare të SHPK “Veprimtaritë komunale”, të Qendrës për Kulturë dhe të Organizatës Turistike, të gjitha për vitin 2022, të cilat i argumentuan drejtorët e tyre ekzekutiv.
Në deklaratën e këshilltarit të PPS-së, Llakiq Baboviq, se popullata e nacionalitetit serb në Komunën e Gucisë është e diskriminuar, e sidomos në punësim, të shprehur në pikën e fundit të rendit të ditës, pyetjet dhe përgjigjet e këshilltarëve, me argumente dhe fakte e demantoi dhe e hodhi poshtë kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat