Shqipëria fillon mandatin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit

Shqipëria ka nisur më 1 janar të këtij viti mandatin dyvjeçar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në një ceremoni të veçantë është vendosur flamuri shqiptar në OKB, në kuadër të marrjes së mandatit si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, është shprehur se Shqipëria është e vendosur të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv, duke përcjellur vlerat dhe parimet e saj në punën e Këshillit.
“Shqipëria do të bashkojë përpjekjet me të gjithë ata që synojnë ta bëjnë Këshillin më efikas, më të përgjegjshëm, më transparent dhe më ndërveprues. Shqipëria beson në multilateralizmin, të drejtën ndërkombëtare dhe në një sistem shumëpalësh të fortë të bazuar në rregulla dhe vlera, si gur themeli i sigurisë botërore. Ne vijmë këtu me besimin dhe vendosmërinë e fortë se Këshilli duhet të bëjë më shumë; të ndërmarrë veprime më të forta dhe të mbështesë ata në nevojë në çdo cep të botës”, ka thënë ambasadori Hoxha gjatë fjalës së tij.
Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023, në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 11 qershor 2021. Bashkë me Shqipërinë me këtë rast janë zgjedhur edhe Gana, Gaboni, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Këshilli i Sigurimit është ndër organet më të rëndësishme të OKB-së, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Ai përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë pesë anëtaret e përhershme, kurse dhjetë vendet e tjera anëtare janë me një mandat dyvjeçar.
Shqipëria është pranuar anëtare e OKB-së, më 14 dhjetor 1955, dhe pas 66 vitesh anëtarësie është votuar për herë të parë për të qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat