Në seancën e katërt të Kuvendit të komunës së Plavës ku ishin të pranishëm 26 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë propozim-vendime, plane dhe rregullore të organeve të qeverisjes lokale të institucioneve publike.
Pas hapjes së seancës nga kryetarja e Kuvendit, Jasmina Cikotiq, u verifikua mandati i këshilltares së re Sellma Sharkinoviq, nga lista zgjedhore Socialdemokratët e Malit të Zi, “Socialdemokratët Ivan Brajoviq – Ne me konsekuencë vendosim për Plavën”, në vend të këshilltares së po këtij subjekti politik, Anella Musiq-Nikoçeviq, e cila më parë ka dhënë dorëheqje nga detyra e këshilltares, sepse u propozua në funksionin e ushtrueses së detyrës së sekretares të Kuvendit të Komunës së Plavës.
Në vazhdim të seancës, pas ca vërejtjesh të dy këshilltarëve në përmbajtje, u miratua proces verbali nga seanca e dytë e rregullt, e mbajtur më 28 qershor 2021, dhe rendi i plotësuar i ditës me një pikë të re të propozuar nga kryetari i komunës, Nihad Canoviq – Zgjedhja e kryetarit të Komisionit komunal zgjedhor.
Seanca filloi punën sipas rendit të ditës me miratimin e dorëheqjes me dëshirën e vet të Adill Milushit nga funksioni i sekretarit të Kuvendit të Komunës së Plavës, dhe emërimin e juristes së diplomuar, Anella Musiq-Nikoçeviq, ushtruese e detyrës së sekretares së Kuvendit të Komunës, nga subjekti politik Demokratët e Malit të Zi, me mandat gjashtëmujor, të cilit i përkiste edhe sekretari në dorëheqje, Milushi. Më pas u vazhdua me shqyrtimin e propozimit të vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2022, që ishte njëri ndër tetë propozim-vendimet e rendit të ditës, e njëherazi edhe temë qendrore e trajtimit të tij, të cilin e parashtroi dhe në mënyrë koncize e analitike e argumentoi kryetari i komunës, Nihad Canoviq. Ai konfirmoi se buxheti i Komunës së Plavës është planifikuar në shumën 3.900.000,00 euro. Ky buxhet është zhvillimor dhe është përreth 1 milion euro më i vogël se buxheti i vitit 2021, theksoi Canoviq. Buxheti në fjalë është i ndarë në shpenzimet rrjedhëse 2.851.820,00 euro, në shpenzimet kapitale 484.180,00 euro, në pagesat e borxhit 160.000,00 euro, dhe në rezervat 40.000,00 euro.
Pas trajtimit dhe shqyrtimit konciz e analitik në të cilin me diskutimet e veta morën pjesë shtatë këshilltarë, kryesisht të opozitës, të cilët dhanë vërejtjet dhe propozimet e veta, buxhetin për vitin 2022 këshilltarët me votim të hapur e miratuan me 23 vota “për” dhe me 3 vota “kundër”.
Me shumicë votash “për” apo “njëzëri”, këshilltarët në punën e mëtejme të seancës, shqyrtuan dhe miratuan edhe propozim-vendimet, planet, raportet, programet dhe informatat e parapara në rendin e ditës.
Propozimin e planit të investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2022 në shumën prej 848.180,00 euro, të cilat financohen nga mjetet e buxhetit kapital, si dhe programin e masave për nxitjen (motivimin) e zhvillimit të bujqësisë për vitin 2022 në shumën prej 20.000,00 euro, që po ashtu sigurohen nga mjetet e buxhetit kapital, pas vërejtjesh dhe sugjerimesh që i dhanë këshilltarët pjesëmarrës në diskutime, u miratuan me shumicë votash.
Gjatë punës së seancës, këshilltarët po ashtu trajtuan, shqyrtuan dhe me shumicë votash miratuan planet dhe programet financiare të shpenzimeve për vitin 2022 të institucioneve publike dhe të organizatave që veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës – të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, të Qendrës Ditore “Lipa”, të SHPK “Veprimtaritë Komunale” dhe të Organizatës Turistike. Ata, po ashtu shqyrtuan dhe miratuan edhe programin e punës së Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2020; rregulloren mbi kriteret për caktimin e çmimit të mbështetjes së shërbimit për jetesë në bashkësi – shërbimit të qëndrimit ditor i cili ofrohet në Qendrën Ditore për fëmijë dhe të rinj me pengesa në zhvillim “Lipa” në Plavë; propozimin e vendimit mbi financimin e ofrimit të shërbimit “Ndihma në shtëpi”, personave të rritur dhe të moshuar në Komunën e Plavës për vitin 2022; dhënien e pëlqimit në planin e koncipuar të zgjidhjes ideore të flamurit të Komunës së Plavës dhe raportin mbi shfrytëzimin e pyjeve në territorin e Komunës së Plavës për vitin 2020.
Në seancë, këshilltarët në mënyrë koncize u njoftuan me informatat mbi raportin përfundimtar për rishikimin e procesit të arkëtimit të të hyrave nga taksa e qëndrimit të Organizatës Turistike të Plavës për vitin 2020, dhe atë mbi furnizimin me ujë të vendbanimeve në Komunën e Plavës për vitin 2020.
Këshilltarët me propozim të kryetarit të Komunës së Plavës si pikë plotësuese të rendit të ditës, për kryetare të Këshillit komunal zgjedhor emëruan juristen e diplomuar, Resma Shehoviq, dhe nga funksioni i zv/anëtarit të Këshillit zgjedhor komunal shkarkuan Radulle Gjuriçanin, e në vend të tij emëruan juristen Andrijana Rajkoviq.
Në fund të punës së seancës e cila zgjati mbi pesë orë, disa këshilltarë parashtruan ca pyetje, dhe kërkuan që përgjigjet t’u jepen me shkrim.
Sh. Hasangjekaj