Propozimi i buxhetit të Ulqinit me keqpërdorime dhe mashtrime

Një ndër arsyet kryesore të daljes së Forcës së Re Demokratike nga koalicioni në Komunën e Ulqinit, ka qenë mosrealizimi dhe keqplanifikimi i buxhetit për secilin vit. Nënkryetari i kësaj partie, Ilir Çapuni tha: “ne nuk votuam rebalancin e vitit 2020 dhe buxhetin për vitin 2021, sepse kanë pasur probleme me ligjin dhe realitetin siç po vërtetohet sot, dhe me propozimin e buxhetit për vitin 2022 dhe realizimin e buxhetit për vitin 2021 ku po vazhdohet me planifikime që lirisht mund të trajtohen si keqpërdorime dhe mashtrime”.
Çapuni më tej tha:“buxheti për vitin 2021 është planifikuar në shumën 15.000.000 euro, kurse rebalanci i cili iu është shpërndarë këshilltarëve, e që nuk ka marrë pëlqim nga Ministria e Financave, është përgatitur në shumën 13.500.000 euro, kurse realizimi deri në fund të nëntorit është rreth 8.500.000 euro”.
Sipas tij, pjesa kryesore e buxhetit që u intereson më së shumti qytetarëve janë investimet kapitale.
“Për vitin 2021 janë të parashikuara investime kapitale në shumën 7.000.000 euro, kurse realizimi deri në fund të nëntorit është rreth 600.000 euro, pra rreth 8,5% e parashikimeve”.
Në Llogarinë përfundimtare për vitin 2020, janë të prezantuara obligimet e Komunës dhe ndërmarrjeve publike, pra në bazë të informatave zyrtare. Komuna, pa llogaritur kreditë për investimet në infrastrukturë ka borxh shumën 8.105.000 euro, ndërsa ndërmarrjet publike 10.034.000 euro”.
Sa u përket investimeve kapitale, Çapuni rikujtoi që në vitin 2020 janë planifikuar 6.326.000 euro, dhe janë realizuar 803.925 euro, pra vetëm 12.7%. Për vitin 2021, janë planifikuar 7.167.000 euro, e deri në nëntor janë realizuar 600.000 euro, pra vetëm 8.37%. Për vitin 2022 planifikohen 8.365.000 euro, dhe sipas të gjitha gjasave, lista e investimeve kapitale do të mbetet listë dëshirash të cilat i sjellin partnerët e koalicionit në mbledhjen e tyre një natë para mbledhjes së Kuvendit.
“Deficiti i parashikuar në buxhet, ose thënë thjesht, mjetet që mungojnë për vitin 2022 janë 6.870.000 euro, nga të cilat deficiti primar 5.935.000 eurë. Në këtë deficit nuk janë të llogaritura obligimet kreditore. Pra, deficiti real do të rritet për 3.844.626 euro. Ndërsa, deficiti total për vitin 2022 shkon deri në 9.779.626 euro, tha Çapuni.
Në buxhetin e propozuar për vitin 2022 janë parashikuar që të kthehen borxhe kreditore në shumë 1.570.000 euro, çka do të thotë se nuk janë të përfshira mjetet në shumën 2.274.626 euro. Pra, shuma 2.274.626 euro mungon vetëm për kredi.

Të fundit

më të lexuarat