Zbulimi i faqeve të fshehta të historisë komplekse dhe shumëngjyrëshe të Levantit

“Kurrë mos ngurroni të shkoni larg, përtej të gjitha deteve, gjithë kufijve, të gjitha vendeve dhe besimeve”- Maluf

Bernard Çobaj

(vijon nga numri i kaluar)
“Identitetet vrastare” të vitit 1998 e bënë Malufin të njohur anembanë botës, por para këtij shkrimi paralajmërues për sfidat identitare të shekullit, në qarqet letrare, ishin të mirënjohura novelat “Samarkanda” (Samarcande, 1988) dhe “Kopshtet e dritës” (Les Jardins de Lumiere, 1992). Ato janë në linjë të përshkrimeve të ngjarjeve kyçe të kohës dhe zbulimit të faqeve të fshehta të historisë komplekse dhe shumëngjyrëshe të Levantit, duke u fokusuar te mesazhet e tolerancës ndëretnike e ndërfetare. Domethënë, tema e hapur në esenë “Kryqëzatat parë nga sytë e arabëve”, në mënyrë artistike shtjellohet nga këndvështrimet më të ndryshme në novelat “Leoni Afrikan”, “Gjerdani i Levantit”, “Samarkanda”, “Kopshtet e dritës”, “Shtegtimi i Baldasarit” dhe “Guri i Taniosit”. Këto përbëjnë një tërësi kuptimore shumëdimensionale.
Novela “Kopshtet e dritës”, e vendosur në Persinë e hershme, portretizon piktorin, mjekun, filozofin e shekullit III Manin – themeluesin e besimit progresiv maniheizmit, në periudhën kur krishterimi ishte ndarë në shumë sekte.
Filozofia e tij tolerante, me tendencë të pajtimit të dallimeve mes identiteteve të ndryshme, i ka sjellë popullaritet të madh por edhe persekutim, torturë dhe urrejtje. Me kalimin e kohës, kuptimi burimor i maniheizmit plotësisht është sjellë mbrapsht.
Mesazhi kompleks i Manit, i mbështetur në dualizmin absolut kompleks të botës së dritës dhe botës së errësirës, nuk është kuptuar mirë dhe ka shkaktuar xhelozi te klerikët dhe politikanët, të cilët asokohe kanë shfrytëzuar urrejtjen si karrem për t’i mbledhur njerëzit rreth vetes, jo mirëkuptimin dhe dashurinë.
Sipas Malufit, maniheizmi ishte ndoshta religjioni më i persekutuar gjatë historisë së njerëzimit dhe në novelën “Kopshtet e dritës” mundohet të rishikojë dhe të korrigjojë padrejtësinë që persekutuesit ia kanë bërë këtij besimi.
Në veprën e mirënjohur “Samarkanda” (një nga tre librat e Malufit të përkthyer në shqip), poeti i mirënjohur persian, astronomi, filozofi dhe matematikani gjenial i shekullit XII, Omar Khajami, tërhiqet nga bota në observatorin e vet ku shikon yjet, i revoltuar nga politika dhe sunduesit.
Në pjesën e parë të novelës kryqëzohen rrugët jetësore të Omar Khajamit, Nizam al Mulkut, Vezirit të Madh të Perandorisë Selxhuke, dhe Hasan Al Sabahut, themeluesit të rendit të asasinëve, pararendës i fanatikëve vetëvrasës të pranishëm në shekujt në vijim, sidomos në shekujt XX dhe XXI. Pjesa e dytë e librit ka të bëjë me një amerikan që don të gjejë kopjen origjinale të Rubairave të Khajamit gjatë viteve 1900.
Vlen të përmendim se novela “Alamut” e autorit slloven Vladimir Bartol, e botuar në vitin 1938, po ashtu trajton tri figurat e përmendura më lart, por me theks te plaku nga mali Alamut, Hasan al Sabahu.
Vetë fjala samarkand në gjuhën uzbeke do të thotë vend takimi apo vend përplasjeje, duke ilustruar pozitën e këtij qyteti në kufi të dy botrave, turke dhe persiane. Pavarësisht që miqësia e tre personazheve në novelë tregohet si fakt historik, studimi voluminoz i autorit iraniano-amerikan Mehdi Aminrazavi “Vera e mençurisë – Jeta, Poezia dhe Filozofia e Omar Khajamit” (The Wine of Wisdom: The Life, Poetry and Philosophy of Omar Khayyam) shpjegon se miqësia e tri figurave është legjendë si dhe zgjeron fokusin mbi përgjithësinë e veprimtarisë së Khajamit duke sfiduar imazhin hedonist të ndërtuar në Perëndim mbi të. Në zbërthimin e mëtejshëm të katreneve të Rubairave, të analizuar hollësisht kundrejt traktateve filozofike të Khajamit, Aminrazavi konkludon se vera (vëna) është pjesë e imazheve sufiste që Khajami ka përdorur si metaforë në vargjet e veta, si referencë më të gjerë semantike, sesa në plan të parë direkt.
Në këtë vepër, mes tjerash, nëpërmes perspektivës së Khajamit, autori tregon ndjenjën e fortë të frustrimit të Lindjes kundrejt sukseseve të Perëndimit që kushtëzon refuzimin e bashkëkohores nga ana e tyre, që mund të kuptohet si sinonim i kapitullimit.
Temën e frustrimit të Lindjes do ta përpunojë më thellë tek esetë socio-politike “Identitetet vrastare”,“Përçarja e botës: Kur qytetërimet tona janë rraskapitur” dhe “Anijembytja e civilizimeve”, dhe te novela “Të çorientuarit”.
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat