Tuz – Zyra e Kryqit të Kuq në Tuz e themeluar në vitin 2007, si degë e Kryqit të Kuq të Podgoricës, është emërtuar, Organizata Komunale – Kryqi i Kuq, Tuz, qëkur Komuna e Tuzit është mëvetësuar.
Kjo organizatë ka statutin e saj, drejtorin, këshillin drejtues, këshillin për financa dhe sekretarën.
Drejtori i Organizatës Komunale – Kryqi i Kuq, Tuz, David Junçaj, në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, tregon mbi funksionimin e kësaj organizate, parimet mbi të cilat ajo punon dhe për veprimtarinë e saj në tërësi.
“Kjo organizatë punon mbi parimet themelore që janë: humanizmi, paanësia, neutraliteti, pavarësia, vullnetarizmi, uniteti dhe universaliteti. Nga kjo zyrë ndihmojmë familjet në nevojë, pjestarët e komunitetit rom, personat me aftësi ndryshe, personat me invaliditet, fëmijët jetimë, të moshuarit, etj”, shprehet Junçaj.
Ai thotë se kësaj zyre i drejtohen afro dyqind familje të cilat kërkojnë ndihmë për të mbijetuar. Junçaj si njërin ndër faktorët (shkaktarët) e kësaj gjendjeje, e pohon papunësinë në vend.
“Ky numër fatkeqësisht është çdo ditë në rritje dhe personat në nevojë këtë zyrë e shikojnë si një dritë kandili për mbijetesë”, shprehet Junçaj.
Ai më tutje thotë se kjo zyrë ka filluar me disa aktivitete bamirësie gjatë muajit dhjetor, ku në bashkëpunim me disa shitore në vend, kanë organizuar një aksion për grumbullimin e artikujve ushqimor dhe higjienik.
“Gjatë këtij aksioni, qytetarët e Malësisë treguan vërtetë një humanizëm, dhe për këtë dua t’i falënderoj për kontributin e tyre, por edhe vullnetarët të cilët na kanë mbështetur. Gjithashtu, realizuam një aktivitet me KF “Deçiq”, ku biletat e shitura të një ndeshjeje u dedikuan për blerjen e pakove ushqimore për fëmijët me aftësi ndryshe dhe me invaliditet”, shprehet drejtori i Organizatës Komunale – Kryqi i Kuq, Tuz, David Junçaj.
Në të njëjtën kohë, ai thotë se edhe vitin e ardhshëm veprimtaria e kësaj organizate do të jetë pothuajse e përmuajshme, me aksioni të ndryshme humanitare, organizim seminaresh të ndryshme, trajnime për vullnetarë si dhe dy herë në vit, aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut.
t. u.