Partitë opozitare në Mal të Zi hoqën dorë nga iniciativa për të votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Opozita nuk ia doli të sigurojë një votë që i duhej nga partitë në pushtet për ta rrëzuar Qeverinë.
Siç është njoftuar, arsyeja ishte paralajmërimi i partisë në pushtet, Frontit Demokratik, që të dorëzojë iniciativën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, gjë të cilën e kishte paralajmëruar të shtunën, më 10 dhjetor.
Nga FD-ja kanë thënë se do të kërkojnë edhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Megjithatë, këtë propozim nuk e pranuan partnerët tjerë të koalicionit qeverisës, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare “Ura”.
Nga 81 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, iniciativën për mocionin e mosbesimit të Qeverisë e nënshkruan vetëm 40 deputetë të opozitës nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët dhe partitë e pakicave.
Partitë në pushtet, që kanë 41 deputetë, njoftuan se nuk do t’i bashkohen kësaj nisme. Nga Fronti Demokratik, që me muaj ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë, kanë thënë se nuk duan që me PDS-në e Millo Gjukanoviqit ta rrëzojnë kryeministrin Krivokapiq.
Në iniciativën e opozitës për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë thuhej se Mali i Zi tashmë ndodhet në krizën më të madhe politike dhe institucionale në 30 vjetët e fundit dhe se Qeveria e Krivokapiqit humbi legjitimitetin meqë nuk e ka përkrahjen e shumicës që e votoi.
Po ashtu thuhej se është faj i Qeverisë që bisedimet me Bashkimin Evropian në parim u pezulluan. Opozita tentoi të materializojë pakënaqësinë me punën e Qeverisë të partive në pushtet, por edhe telashet e brendshme të shumicës.
Një prej këtyre problemeve është se propozimet e shumta të Qeverisë së Krivokapiqit mbesin në Parlament pa u vënë në votim, për shkak të mungesës së përkrahjes.
Po ashtu, tash e disa muaj vazhdon edhe konflikti politik në mes të partive në pushtet, sidomos Frontit Demokratik dhe Lëvizjes Qytetare “Ura”, pasi që disa herë, “Ura” voton në Kuvend bashkë me opozitën e udhëhequr nga DPS-ja. Rasti i fundit i këtillë ishte zgjedhja e Nikolla Mugoshës kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, më 8 dhjetor.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, e ka cilësuar tërheqjen e mocionit të mosbesimit si një fitore të qeverisë së tij.
“Është një lojë e atyre që u përpoqën të fitonin zë përmes korrupsionit politik. Të tre koalicionet kishin një qëllim në zgjedhje, të rrëzonin regjimin”, ka thënë ai.
Krivokapiq e ka cilësuar si “lojë joserioze” edhe paralajmësimin e Frontit Demokratik të nismës për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi.
“Nuk është një lojë serioze, por secili mund të luajë si të dojë. Do të doja që një skenar i tillë të ndodhte, që Fronti Demokratik me Partinë Demokratike Socialiste të krijonin parakushtet për një lojë të re politike në Mal të Zi. Mendoj se kjo do të ishte fitorja më e mirë. për të gjithë në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Qeveria e Krivokapiqit u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, parti kjo proserbe, Demokratëve dhe Lëvizjes “Ura”, të cilët fituan në zgjedhjet parlamentare më 30 gusht 2020, me çka PDS e Gjukanoviqit pas tri dekadash kaloi në opozitë.
(Kohapress/REL)
