
Në Nëntorin e Alfabetit të gjuhës shqipe e të festave kombëtare për shqiptarët, nuk kishte si të ndodhte më bukur se të fillonim festën me hapjen e një Qendre të Librit shqip për shqiptarët në Malin e Zi. Për mua ky është një moment krenarie kombëtare, ndërsa kjo librari do Zoti të mbetet për jetë e mot institut i kulturës shqiptare në Malin e Zi.
Më duhet të theksoj se ky është projekti i parë i prekshëm (konkret), i cili është realizuar nga Këshilli Kombëtar me mbështetje financiare të Qeverisë së Shqipërisë për shqiptarët në Malin e Zi dhe besojmë fort se ky është veç fillimi.
E kam të pamundur të mos i përmend dhe falënderoj të gjithë ata të cilët e mundësuan që kjo ëndërr e kahmotshme të bëhet realitet për shqiptarët në Malin e Zi, që fjala e shkruar “Libri” në gjuhën shqipe, të ketë shtëpinë e vet edhe në Mal të Zi.
Dua të tregoj një historik të shkurtër si nisi e gjitha.
Me iniciativën e “musketerëve”, shokëve nga Ulqini (Mentorit, Samiut, Marianit, Bernardit e Ilirit), të cilët një ditë të nxehtë gushti më ftuan për kafe dhe më ngarkuan me një mal me ide e punë që duhet të bëja në Këshillin Kombëtar, në mes tjerash ma bënë thuajse detyrim se unë përmes Këshillit kuptohet, duhet të hapi një librari me literaturë në gjuhën shqipe, fillimisht në Ulqin e pastaj në Malësi dhe Guci.
T’ju them të drejtën, nuk ju kam besuar fuqive të mia se kjo nismë mund të bëhet realitet, por personat në fjalë insistuan dhe deponuan iniciativën edhe në formë të shkruar, jo vetëm në Këshill, por edhe në institucione të ndryshme.
Gjatë komunikimeve të vazhdueshme me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Gent Cakaj, të cilin e falënderoj në veçanti e posaçërisht sepse është aktori kryesor që jemi këtu sonte, ndër të tjera i shprehëm se kemi këtë ide për një librari me literaturë në gjuhën shqipe, fillimisht në qytetin e Ulqinit dhe pastaj në Tuz e Guci. Nuk kalojnë pak ditë dhe vjen përgjigjja pozitive: Qeveria e Shqipërisë do të financojë hapjen e një librarie, fillimisht në Ulqin e më pas në Malësi e Plavë-Guci.
Kjo punë nuk do të arrihej pa ndërmjetësimin dhe rolin konstruktiv të Ambasadorit të Shqipërisë në Malin e Zi, z. Ridi Kurtezi, i cili i besoj dhe e mbështeti këtë projekt dhe lehtësoi çdo procedurë për transferimin e mjeteve nga buxheti i Qeverisë së Shqipërisë në adresë të Këshillit Kombëtar.
Ky ambient kaq i bukur e i veçantë nuk do të bëhej pa talentin dhe përkushtimin e arkitektes Arbra Avdiu – Çapriqi, e cila e projektoi dhe e mbikëqyri realizimin deri në detajet e fundit.
Në këtë kuadër duhet veçuar bashkëpunimin korrekt me Librarinë “Dukagjini” nga Prishtina, nga të cilët kemi pasur mbështetje dhe këshilla të vazhdueshme, ndërsa transportin dhe një sasi botimesh na i dërguan falas.
Ndërsa realizimi i kësaj ëndrre për mua do të mbetet vepra më e bukur dhe më fisnike e jetës sime, sepse ky kënd i ngrohtë nuk është konceptuar thjesht vetëm si librari, por do të shërbejë si një qendër e promovimit të kulturës së shkruar në gjuhën shqipe. Do të organizohen promovime të veprave të autorëve shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Do të kemi këndin e veçantë të autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, në të cilin do të ekspozohen veprat e tyre. Do të kemi këndin për fëmijë, për më të vegjëlit, të cilët do të munden që bashkë me hapat e parë të mësojnë e ushtrojnë tingujt e parë të gjuhës shqipe me libra dhe mjete ndihmëse shqip.
Më të rriturit do të mund të fillojnë leximin dhe shkrimin e gjuhës shqipe nga mjetet më bashkëkohore didaktike që ka në botën shqiptare sot, e po ashtu të mësojnë legjendat e përrallat më të bukura në gjuhën amtare.
Nxënësit shqiptarë në Malin e Zi do të kenë një adresë për gjetjen e veprave dhe autorëve për lektyrat shkollore. Ndërsa drejtorët e institucioneve shkollore në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe do të kenë një pikë reference ku do të mund të porosisin fondin e nevojshëm të librave në gjuhën shqipe për nevojat e bibliotekave të shkollave, e po ashtu edhe komunat për bibliotekat e qyteteve. Diaspora jonë do të ketë mundësi të gjejë librin shqip në shtëpinë e vet.
Në kuadër të kësaj Qendre do të kemi hapësira të posaçme edhe për libra cilësorë në gjuhë të ndryshme (malazeze, angleze, gjermane etj.), sepse, përveç tjerash, Ulqini është një vend turistik e multietnik.Pra, roli i kësaj qendre do të jetë shumëdimensionale.
Uroj nga zemra që nga kjo librari e të tjera si kjo, të kemi në të ardhmen nga një bibliotekë të librit shqip në çdo shtëpi shqiptare në Mal të Zi.
Kjo librari të jetë hambari i farës së diturisë dhe atdhedashurisë për brezat që vijnë.
(Fjala në hapjen solemne të Librarisë “Ulqini”, më 25 nëntor 2021)
