Rezultatet e zgjedhjeve lokale që janë mbajtur të dielën në tri komuna në Mal të Zi – Cetinë, Mojkovac dhe Petnjicë treguan se Partia Demokratike e Socialistëve vijon trendin e rënies, të filluar me zgjedhjet parlamentare më 30 gusht të vitit të kaluar, ashtu si dhe partitë e tubuara në koalicionin Fronti Demokratik.
Nga tri komunat ku janë mbajtur zgjedhjet e ku PDS ka pasur shumicën qeverisëse, vetëm në Petnjicë ka arritur që të fitojë sërish shumicën absolute për të qeverisur. Në këtë komunë me shumicë boshnjake PDS ka fituar 17 mandate këshilltarësh, Partia Boshnjake 6, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit 3, Socialdemokratët e Malit të Zi dhe Demokratët nga 2 mandate, kurse Partia Socialdemokrate një mandat.
Ndonëse ka fituar shumicën, PDS nuk do të mund të formojë vetë pushtetin në Cetinë, qendrën historike dhe kulturore të Malit të Zi. Në përbërjen e Kuvendit të ardhshëm të kësaj komune PDS do të ketë 14 këshilltarë, PSD e cila ka shënuar edhe rritjen më të madhe – 8 këshilltarë, Rojet e Vjetra LLMZ 3 këshilltarë dhe Socialdemokratët-Partia Liberale një këshilltar. Nga partitë në pushtetin qendror, Lëvizja Qytetare URA ka fituar 4 mandate dhe Demokratët 3. Për të vijuar qeverisjen PDS-së i duhet të krijojë koalicion paszgjedhor.
Ndërsa në Mojkovac, pas 16 vitesh PDS e ka humbur pushtetin ndonëse me 14 këshilltarë vazhdon të jetë partia më e fuqishme në këtë komunë. Fronti Demokratik ka fituar 8 mandate, Demokratët 4, Lëvizja Qytetare URA dhe lista “Nuk e japim Mojkovacin”, e afërt me kryeministrin Zdravko Krivokapiq, nga 2 mandate, kurse Mali i Zi i Bashkuar një mandat.
Sipas të dhënave të komisioneve komunale zgjedhore, të drejtë vote në këto tri komuna kanë pasur 26 mijë e 800 qytetarë.
Në 17 komuna të tjera të Malit të Zi zgjedhjet lokale pritet që të mbahen vitin e ardhshëm, kurse mandati i Kuvendit të Komunës së Tuzit përfundon sipas ligjit në fuqi në vitin 2023.
(Kohapress)
