Vepër unikale e reflektimit të ndjenjës, përjetimit, emocionit dhe mallëngjimit

Në manifestimin tradicional pesëditor “Takimet letrare (poetike) të Plavës”, i 44-ti me radhë, i mbajtur më 20-24 tetor të këtij viti, në ambientet e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” të këtij qyteti, Kosovën me pjesëmarrje e përfaqësoi poetesha e mirënjohur Flora Brovina, e cila nga vëllimi më i ri i saj me poezi “Përflakje e stuhi”, lexoi dy poezi në gjuhën shqipe, e të cilin në mbyllje të manifestimit në fjalë, ma dhuroi

Shaban Hasangjekaj

“Gjuha poetike e poezive të këtij vëllimi të veteranes së poezisë kosovare, poeteshës Flora Brovina, është e zhdërvjelltë, por e rëndë, është saktë në përkufizimin e motiveve, por dinamike me ngarkesën e saj emocionale. Qoftë, edhe vetëm për këtë qenësi të poezisë së këtij vëllimi, të poeteshës Flora Brovina, ajo është e veçantë në gjithë krijimtarinë që krijohet te ne, edhe me mënyrën e ligjërimit poetik. Poezia e Flora Brovinës e këtij vëllimi, ka edhe veçanti të tjera, që e bëjnë të realizuar artistikisht dhe ndër vëllimet me poezi që i bëjnë nderë poezisë shqipe”, thuhet në përkufizimin me titull “Poezi e dhembjes, e mallit dhe e flijimit” të redaktorit të vëllimit në fjalë, prof. Agim Berisha.
Përndryshe, në këtë përmbledhje me poezi, shtrirja e hapësirës motivore është e një larushie interesante, për të mos thënë e veçantë, qoftë në mënyrën e konceptimit të trajtimit poetik të temave dhe motiveve, qoftë në planin e ndërtimit të poezisë. E veçantë e tërësisë së këtij vëllimi me poezi, është edhe struktura e vargut të saj.
Lexuesi është mësuar ta lexojë poezinë e autores, edhe si përkujdesje e tepruar e zgjedhjes së fjalëve me të cilat e ndërton vargun, por edhe tërësinë poezi, por ato vijnë natyrshëm, edhe për faktin se është prirja e saj krijuese që i bën të veçanta.
Autorja Brovina, nuk preokupohet shumë, si krijohet rima, me fjalë emërore, apo foljore, është rimë mashkullore, apo femërore, është ekombinuar, apo e njëtrajtshme, ngase në poezinë e saj vjen në shprehje natyrshmëria e gjetjes së motiveve dhe ngarkesa emocionale që nuk e lë të qetë lexuesin.
Duke trajtuar një varg temash dhe motivesh të njohura në poezinë tonë, si ajo për atdheun, për burgun dhe flijimin, për natyrën dhe praninë e njeriut në të, për dhunën dhe qëndresën në emër të ardhjes së lirisë, kësaj radhe, autorja Flora Brovina, ka gjetur bërthamat specifike për trajtimin artistik të këtyre temave dhe të këtyre motiveve.
Në vëllimin me poezi “Përflakje e stuhi” të Flora Brovinës që i ofrohet lexuesit, janë një numër poezish, që e kanë në strukturë, qoftë mungesën e atdheut, qoftë praninë e tij në përkatësinë etnike dhe dashurinë për liri, qoftë në zbërthimin e përbërësve që e bëjnë atdheun pjesë të jetës historike të shqiptarëve. Autorja si duket, është gjenerata e pestë, në mos më shumë, e shqiptarëve që kanë lindur, janë rritur, kanë jetuar dhe kanë krijuar me mungesën e tërësisë së atdheut. Kjo mungesë historike e shkaktuar me dhunë, me pushtime dhe terror deri në gjenocid, ka përcaktuar edhe strukturën e poezisë së saj me këtë temë, me temën e atdheut, por edhe me motive të tjera, që plotësojnë domethënien e të përjetuarit të atdheut. Në këtë mozaik krijues të poetes Brovina, vjen një poezi shumë specifike, e treta me radhë, në ciklin “Atdheu”, e titulluar “Komandant” (Para varrit të Adem Jasharit), jo vetëm për temën e saj, por edhe për mënyrën e realizimit artistik, që i kushtohet Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, ka në strukturë përbërës poetik të tillë, që rrallë ose aspak i gjejmë në poezinë shqipe, me këtë temë dhe me këtë motiv.
Autorja e poezisë në fjalë, as nuk vrapon pas shprehjeve e fjalëve të mëdha, as nuk e kërkon figurën nëpër histori dëshmorësh e të rënësh në logun e nderit për atdhe, as nuk lodhet se me cilin epitet ta portretizojë Komandantin. Ligjërata e saj poetike është krejt e natyrshme. I kërkon falje Komandantit që nuk ishte aty me të kur ai këndonte dhe luftonte.
Në poezitë e vëllimit “Përflakje e stuhi”, ka edhe ndonjë temë e përbotshme, qoftë vetëm si motiv, për të krijuar rrafshe të krahasimit, jo si figurë artistike, por si mundësi për të rritur hapësirën e ruajtjes së kujtesës historike të njeriut tonë, qoftë edhe kur shëmbëllimet merren jashtë gjeografisë kombëtare. Në vija të trasha, kjo do të ishte tema e poezisë “Në shtëpinë e Nelson Mandelës (Adem Demaçit), e nënta me radhë në ciklin “Atdheu” që i kushtohet Adem Demaçit të pavdekshëm. Por, e veçanta e poezisë është gjetja poetike, edhe si figurë, edhe si motiv, edhe si realizim artistik. Në këtë poezi, poetesha Brovina nuk ka asgjë të tepërt, për të mos thënë se edhe përshkrimi i hapësirës, ambientit, është krejt i natyrshëm, thuajse i veçantë. Shtëpia është e vogël, Mandela i sëmurë i shtrirë në shtrat, të përshëndetë vetëm me sy, në dhomë, fletore, letra, gazeta, e gjëra të tjera kujtime nga burgu. Këtu fillon drama poetike. Kjo është gjetja, pastaj zihen në gojë, nëpër vargje, burgjet ku ka qenë Adem Demaçi, si dhe vargu “Ku i ke këpucët Adem Demaçi”, që zbërthen tërësinë e qëndresës sonë gjatë pushtimit, gjithë pakujdesinë tonë, që të mos ruajmë asgjë si dëshmi, që dëshmon edhe për faktin se asnjëherë nuk i kemi kërkuar këpucët e Adem Demaçit, qoftë edhe pse ishin shumë burgje ku kishte vuajtur dënimet, andaj ishte vështirë të gjendeshin këpucët e tij. Qoftë, vetëm për këtë gjetje poetike, e të tillë ka qenë shumë në vëllim me poezi, sa ajo lexohet edhe si dhimbje, edhe si mall, por edhe si gatishmëri e vetëdijshme për flijime.
Një numër i konsiderueshëm i poezive të vëllimit “Përflakje e stuhi” të autores Brovina, kanë tema dhe motive nga jeta në burgjet e ndryshme, ku autores dhe shoqeve të saj, pra femrave shqiptare, u kishte rënë hise ta përjetojnë historinë e ardhjes së lirisë nëpër ato burgje. Në këtë dorë poezish, shtrihet, si një shtresim i rrallë poetik, fuqia e mallit të njeriut, qoftë edhe për gjërat më elementare të jetës. Edhe këto çaste i ka përshkruar autorja e këtij vëllimi me poezi ku prania e burgut është e tërësishme.
Poezia “E dhunuara” (motrës), e pesta me radhë, në ciklin “Burgu” shpreh shtrirjen e mallit dhe të dhembjes, të flijimit dhe qëndresës, është një monument poetik thënë thjeshtë, vetëm për përkufizim, sa është vështirë të përballohet pesha e dhembjes, siç është edhe më vështirë të përballosh realitetin që të rrethon. Poezitë me këtë temë dhe me këtë motiv, që janë të shumta në këtë vëllim, bëjnë, si të thuash, tharmin e realizimit poetik të gjithë vëllimit të Flora Brovinës. Dhuna, tortura, shtypja, zhvlerësimi me të gjitha metodat, ishin thuajse të përditshme ndaj të burgosurve kudo që ishin. Andaj autorja Brovina, ka të drejtë kur thotë: “Sa herë mbyllte sytë, i sheh njollat e gjakut në muret e burgut të Prishtinës” që në këtë mënyrë, a në një tjetër, dëshmon për zgripin ku kishte ardhur jeta e tyre, dëshmon për gjithë ato vdekje që ishin shkaktuar brenda atyre burgjeve, siç në anën tjetër, dëshmon edhe për qëndresën krejt origjinale, siç del edhe në këto poezi të poeteshës Flora Brovina të të burgosurve shqiptarë.
Poetesha Flora Brovina, në poezitë e ciklit të tretë “Vjeshtë”, arrin ta shkrijë natyrshëm në poezitë e këtij cikli natyrën me gruan, femrën me përbërës të caktuar të natyrës, dhembjen e ndarjes apo përpjekjen për ta jetuar jetën, gjëmën që e krijon vdekja, apo hiret që falë natyra, qoftë edhe të një gruaje, që herë është e zbehtë me nur të verdhë, herë e kuqe all.
Në poezinë “Sot të tradhtova”, e dyta me radhë në ciklin “Vjeshtë”, jo lakmia, por mungesa e atij që dashuron, sikur e ka bindur, sikur përfaqësohen dy të rinj, rri zgjuar ndjenja për të pasur njeriun afër. Në këtë poezi është vargu “Por ti nuk kishe”, që përsëritet disa herë, gjë që shprehë mrekullisht mënyrën e bërjes poezi të poeteshës Flora Brovina, e cila edhe kur merret me thyerjen e vargut, e krijon atë sipas ndjeshmërisë së saj, pa u lodhur shumë se çka mund të thotë mendimi kritik për poezinë e saj. Ajo i beson mallit të saj, edhe kur është vjeshtë, edhe kur bien gjethet që natyra ua ka ndërruar edhe ngjyrën. Ajo i beson dhembjes së saj edhe kur mungon ai, sepse vetëm mungesa shkakton këtë ndjenjë të dhembjes së njeriut.
Autorja e vëllimit me poezi “Përflakje e stuhi”, me poezi shumë karakteristike për gjithë krijimtarinë e saj, Flora Brovina, poezisë shqipe, ia ka rritur vlerën me disa krijime që janë krejt të reja, për mënyrën e realizimit poetik, që janë krejt të veçanta për nga struktura e ndërtimit të aktit krijues, qoftë kur temë dhe motiv ka ngjarje historike, qoftë kur merr momente nga jeta e burgut, por qoftë edhe kur vjeshta dhe ngjyra e gjetheve të vjeshtës, bëhen frymëzim i poezisë së saj.
Në fund, pa mëdyshje dhe me plot gojë mund të thuhet, por edhe të konfirmohet se vëllimi me poezi “Përflakje e stuhi”, është ndër arritjet më të realizuara të poeteshës Flora Brovina, madje edhe më i realizuar se sa poezitë e vëllimit të saj “Mat e çmat”, botuar në vitin 1995 në Prishtinë.

Të fundit

më të lexuarat