Fyhet deputeti Genci Nimanbegu

Deputeti i Listës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, njëherësh kryetar i Forcës së Re Demokratike, është fyer përmes një postimi në rrjetin social Facebook nga drejtori i Hidrocentralit “Piva”, Radomir Radonjiq.
Shkak për fyerjen e tij është bërë përdorimi i gjuhës shqipe në Kuvendin e Malit të Zi, në seancën e mbajtur më 12 nëntor.
Në postimin e tij, Radonjiq me një gjuhë vulgare ka përqeshur diskutimin e deputetit Nimanbegu. Kjo nuk është hera e parë që Radonjiq, një kuadër i Frontit Demokratik, fyen shqiptarët, shtetin e Malit të Zi, Reisin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Cetinën, deputeten socialdemokrate Draginja Vuksanoviq – Stankoviq, ndërsa ka lartësuar figurën e kriminelit të dënuar Ratko Mlladiq.
Pas reagimeve nga klubet e deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi, të cilët e kanë dënuar gjuhën e urrejtjes dhe fyerjet në llogari të popujve pakicë që Radonjiq i ka publikuar në Facebook, drejtori i Hidrocentralit “Piva” ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Në faqen e internetit të Elektroekonomisë së Malit të Zi, në kuadër të së cilës funksionon HC “Piva”, shkruan se në arsyetimin e dorëheqjes Radonjiq ka theksuar se “është i vetëdijshëm për përgjegjësinë personale dhe telashet që i ka shkaktuar kompanisë”.
Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët fyhen për shkak të gjuhës së tyre amtare apo identitetit të tyre kombëtar.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat