Studim me peshë dhe vlerë të lartë mbi figurën e akademikut Rexhep Qosja

Në lokalet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në praninë e një numri të konsiderueshëm të adhuruesve të fjalës së shkruar letrare, në mënyrë solemne u përurua libri me titull “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, të autorit gjeneral Kudusi Lama, i botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Librin e prezantuan recensentët e tij, dr. Shyqri Galica dhe dr. Fadil Grajçevci, të cilët në fjalët e rastit, e vlerësuan lart personalitetin dhe veprën shkencore, letrare e kombëtare të akademik Rexhep Qosjes. Në këtë tubim folën edhe dr. Hysen Matoshi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Mingjozi, autori i librit, Gjeneral Kudusi Lama, dhe protagonisti i librit, akademik Rexhep Qosja, i cili në fjalën e rastit e falënderoi autorin për punën e përkushtuar në realizimin e librit, si dhe të pranishmit në përurim të librit, për respektin e treguar.
Janë shkruar shumë libra dhe janë bërë shumë studime për figurën poliedrike të Rexhep Qosjes, si romancier, historian i letërsisë, kritik letrar, dramaturg e eseist, por rrallë është trajtuar në ndonjë libër si intelektual i angazhuar, si ideolog, filozof dhe politikan i çështjes kombëtare shqiptare.
Gjeneral Kudisi Lama, si një prej autorëve me kontribute të denja dhe të pakontestueshme në fushën e mendimit shqiptar, në këtë studim ka marrë në shqyrtim krejt veprën letrare, shkencore dhe publicistike të Rexhep Qosjes dhe me një guxim shkencor shpalos profilin e munguar të Rexhep Qosjes si ideolog, filozof dhe politikan i çështjes kombëtare shqiptare.
Në analizën e gjatë shkencore, Lama nxjerr si përfundim se Rexhep Qosja është arkitekti kryesor i filozofisë dhe i ideologjisë së qëndresës kombëtare shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Sipas tij, me idetë politike që i shpalosi në orët më të bujshme dhe dramatike të zhvillimeve kombëtare, sikurse edhe me kundërshtitë, të cilat jo rrallë padrejtësisht u keqkuptuan, Rexhep Qosja u bë busulla historike përmes së cilës morri drejtim fati politik dhe historik i popullit shqiptar.
Të vërtetat e guximshme që shpalosi dhe reflektoi ky studim i Kudusi Lamës, jepen me përgjegjësi shkencore, etike dhe intelektuale, artikulohen me një gjuhë të thjeshtë dhe bindëse dhe realizohen bazuar në një hulumtim gjithëpërfshirës shkencor.
Ndërkaq, gjenerali i mirënjohur i Luftës së Kosovës, Kudusi Lama, është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë, por ai, gjithashtu, ka botuar edhe disa libra publicistikë dhe të mendimit politik. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat