Përurimi u bë në 78-vjetorin e bombardimit të Ulqinit

Ulqin – Komuna e Ulqinit ka shënuar të dielën me një ceremoni solemne përfundimin e punimeve në rregullimin e mikrolokacionit 030 pranë monumentit “Liria” në Pinjesh.
“Me adaptimin e shkallëve në formë tribune, vendosjen e lëkundëseve për fëmijë, instalimin e ndriçimit, mbjelljen e barit anglez dhe të fidaneve e vendosjen e mobiljeve urbane, kjo hapësirë e cila është lënë pas dore prej shumë vitesh, në të ardhmen do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve dhe turistëve për një qëndrim më të këndshëm, me një pamje të bukur në det dhe Kalanë e Ulqinit. Në këtë amfiteatër specifik dhe interesant do të kemi mundësi që në të ardhmen të organizojmë evente të ndryshme muzikore dhe kulturore”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq.
Por data e përurimit përkon me 78-vjetorin e bombardimit të Ulqinit, më 7 nëntor 1943, gjë që ka nxitur reagimin e Forcës së Re Demokratike.
Nga kjo parti kanë thënë se përshëndesin rregullimin e çdo cepi të Komunës së Ulqinit, që ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, por përurimi është bërë në 78-vjetorin e bombardimit të Ulqinit.
“Për fat të keq, ajo ditë ka qenë ditë zie për Ulqinin, i cili gjatë bombardimit humbi së paku 39 banorë, e nga ata, sipas të dhënave aktuale, plot 20 fëmijë nga familjet: Kasmi, Lamoja, Zejnelaga, Pufja, Ushaku, Lazoja, Raiçeviq, Mavriq, Stojanoviq, Çausheviq e Jovoviq”, thuhet në reagim.
Sipas Forcës së Re Demokratike, përmendorja “Sloboda” është dëshmi e megalomanisë së ish-sistemit socialist/komunist.
“Qëllimi i ndërtimit në atë kohë nuk është i njëjti me shikimin e historisë në ditët e sotme, në bazë të dëshmive historike që në vitet e ‘80 të shekullit të kaluar as që u guxuan të përmenden.
Vonë në atë dekadë u mor vesh për Masakrën e Tivarit, të cilën e bënë po ato njësi partizane që kjo përmendore dëshironte t’i glorifikonte”, thuhet në reagim.
Forca e Re Demokratike vlerëson se ky përurim është dëshmi e gjallë e paditurisë dhe mendjelehtësisë së një pushteti, i cili kinse lavdëron antifashizmin por në të vërtetë nuk përballet me krimet e asaj kohe.
“Qasja aktuale ndaj historisë vazhdon injorimin e së vërtetës dhe historinë e Servantesit e shfaq si historinë më të lavdishme tonën. Kësaj qasjeje së shpejti duhet t’i vijë fundi, sepse në vend që t’i kujtojë fëmijët e rënë të Ulqinit, kjo përmendore shndërrohet në kënd lojërash për fëmijë dhe përurohet me ballona të kuqe dhe përmendore të lyera deri në gjysmë. Është e qartë që kjo përmendore ka më shumë nevojë për t’ia sqaruar historinë, ndërruar dedikimin, duke gdhendur emrat e qytetarëve tanë që humbën jetën atë ditë”, thekson ndër të tjera deklarata për shtyp, në të cilën jepen edhe emrat e viktimave të bombardimit të Ulqinit 78 vjet më parë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat