Nimanbegu në krye të partisë

Ulqin – Nënkryetari i deritashëm dhe deputeti i Forcës së Re Demokratike (Listës Shqiptare), Genci Nimanbegu, është zgjedhur kryetar i kësaj partie në Kuvendin IV zgjedhor, që është mbajtur të shtunën në Hotelin “Mediteran” në Ulqin.
Ai ishte kandidati i vetëm për kryetar të Forcës së Re Demokratike.
Në fjalën e tij pas zgjedhjes kryetar, Nimanbegu ka thënë se është standard i ri demokratik për subjektet shqiptare dhe dëshmon që ndryshimi i pozitave vjen natyrshëm, rrjedhshëm dhe si maturi politike dhe njerëzore.
“Shpresa është këtu fjala e ditës. Duhet t’ia kthejmë shpresën njerëzve që shoqëria jonë do të jetë jo vetëm e barabartë me të tjerat sa i takon të drejtave dhe shanseve këtu në Mal të Zi, por edhe më shumë se aq, shoqëri e dialogut, maturisë në marrjen e vendimeve dhe respektimit të principeve më të larta morale, njerëzore dhe politike”, ka thënë ai.
Kryetari i ri i Forcës së Re Demokratike ka thënë se “si parti kombëtare, kemi nevojë që të rikthejmë shpresën te shqiptarët se shqiptari është i pathyeshëm kudo që të jetë, se të jesh shqiptar është krenaria më e madhe, se të flasësh shqip është dashuria më e madhe dhe të rrisësh fëmijën si shqiptar është arritje e madhe. Prandaj, shqiptarët në Mal të Zi duhet të kuptojnë se problemet e tyre fitojnë zërin më të drejtë dhe më të mirë, përçuar vetëm me Forcën e Re Demokratike si parti kombëtare”.
Ndërsa kryetari i deritashëm i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, në fjalën përshëndetëse ka thënë se “Forca është themeluar me qëllime të sinqerta, si kombëtare, ashtu edhe qytetare, duke tentuar të mbrojë dinjitetin e secilit individ drejt një jete më të mirë”.
Në këtë kuvend Forca ka bërë ripërtëritjen e organeve udhëheqëse me struktura të reja, duke vënë në funksion pozicione të reja të strukturave partiake të cilat, sipas kësaj force politike, do të ndikojnë pozitivisht në avancimin dhe përfaqësimin e partisë dhe të popullit të cilin e përfaqëson, duke aprovuar edhe Statutin dhe Programin e ri politik.
Në Kuvend kanë marrë pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Mal të Zi, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe partive të tjera në Mal të Zi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, përfaqësues të organizatave joqeveritare etj.
Forca e Re Demokratike është themeluar më 22 tetor 2005. Që nga themelimi i saj, këtë parti e ka drejtuar Nazif Cungu.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat