Mal Berisha
Me datën 11 nëntor 2012, Ambasadori Britanik në Tiranë Sh.T z. Nicholas Cannon dhe Kryeministri i asaj kohe Dr. Sali Berisha organizuan një shërbesë përkujtimore në varrezën e britanikëve në Parkun e Tiranës. Ata ishin 53 të rënë, por vetëm 46 prej tyre i kanë pllakat e varreve mbi kokë.
Shqipëria i ka borxh nderi këtyre të rënëve për kontributin në çlirimin e vendit tonë. Pas kthimit në atdhe, veteranët e SOE që shërbyen në Shqipëri i shërbyen vendit të tyre në fusha të ndryshme të jetës. Shumë prej tyre u bënë njerëz të shquar dhe politikanë të zotët. Le të veçojmë disa prej tyre:
Harold Julian Amery, Baron Amery of Lustleigh, (1919–1996), politikan konservator britanik, i cili shërbeu tre dekada si figurë drejtuese e kësaj partie dhe 42 vjet anëtar i parlamentit. Ai ka shërbyer si oficer ndërlidhës i SOE për lëvizjen e rezistencës antifashiste shqiptare në vitet 1943–1944 në përbërje të grupit të quajtur “Tre Mosketjerët” bashkë me majorin Davis Smiley dhe kolonelin Neil McLean.
John Anthony Quayle, (1913 – 1989) aktor i madh i teatrit anglez, shërbeu si oficer i shërbimit të fshehtë anglez gjatë luftës. Në vitin 1943 mbërriti në Tragjas, Shqipëri. Pas luftës ai iu kushtua aktrimit dhe drejtoi Teatrin Memorial të Shekspirit ku dhe hodhi themelet e krijimit të Kompanisë Mbretërore të Teatrit Shekspirian. Ai ka luajtur rolet e Falstafit, Otellos, Henrin e VIII-të si dhe ka interpretuar edhe me Lorenc Oliverin dhe ka një galeri të pafund rolesh. Për ne shqiptarët mbetet figurë e dashur pasi jo vetëm që shërbeu në Shqipëri, por ishte anëtar aktiv i përhershëm i Shoqatës Anglo Shqiptare (AAA).
Kolonel David Smiley (1916 – 2009) ishte një oficer i shërbimeve të fshehta britanike. Në luftën e Dytë Botërore ai ka luftuar në Palestinë, Irak, Persi, Siri si dhe ka vepruar me SOE–në, në Shqipëri dhe në Tailandë. Ai ka shkruar librin ”Albanian Assignment”.
Magaret Hasluck (1885 – 1948) shërbeu në SOE. Pas luftës, dhe pas ekzekutimit nga komunistët të mikut të saj shqiptar, Lef Nosi, ajo u sëmur rëndë dhe vdiq në varfëri në Dublin në vitin 1948. Atë e ndihmuan miqtë e saj të SOE–së në ditët e fundit të jetës në mënyrë anonime.
Billy McLean (1918 – 1986) Në vitin 1943 McLean iu bashkua misoneve të SOE dhe zbriti në territoret e okupuara në Shqipëri. Në Prillin e vitit 1944 McLean bashkë me një ekip të vogël të quajtur “Tre Mosketjerët” ku bënte pjesë David Smiley dhe Julian Amery u përpoqën të pajtonin grupet e ndryshme politike në Shqipëri që të luftonin së bashku kundër nazistëve por nuk i arritën dot. Ai shërbeu dhjetë vjet si anëtar i Parlamentit Britanik.
Statuja e heroinës së soe-s në Londër
Në Londër gjendet një statuje bronci e cila i përfaqëson anëtaret e SOE – së. Sa herë kaloja anës së lumit Tamiz, në rrugën që të çon nga Ura Lambeth për tek London Eye (Syri i Londrës) ndalesha përpara atij busti. Ajo është përmendorja e një gruaje me një vështrim tejet të mprehtë, portret shumë i bukur, me forma shumë të rregullta që sheh larg. Në të nuk gjen asnjë shformim të shprehur si dukuri e artit modern dhe ruan përmasat dhe raportet natyrale të një skulpture klasike, e skalitur mbi bazën e parimeve të estetikës së realizmit. Në të nuk ka as glorifikim dhe as shtesa tiparesh që ta bëjnë atë super-njeri, super-heroinë, super-grua, super… Në të gjen gjithë ato që skulptori i famshëm francez August Roden do t’u mësonte studentëve të tij në lidhje me raportet formë – përmbajtje të një vepre skulpturore. E pse jo edhe Odhise Paskali ynë.
Jam ndalur shumë herë para atij busti. Madje e kam fotografuar sa herë që kam kaluar pranë. Në një rast foton e saj e kam përdorur në librin “Realitetet Shqiptaro – Britanike” si ilustrim në atë pjesë ku bëhet fjalë për grupin britanik të njohur me emrin Special Operations Executive.
Ky portret iu është kushtuar pikërisht atyre njerëzve të guximshëm, që arritën të hyjnë në prapavijat e armikut nazist nëpër Evropë.
Ndalohesha me respekt përpara saj, sa herë i kaloja pranë, pasi ajo përfaqëson ata që e shpëtuan botën nga katastrofa. Një prej ditëve të shëtitjeve të mia buzë Lumit Tamiz takova autorin e asaj skulpture.
Ai ishte Ivan Saxton dhe po e pastronte me duart e veta atë bust. Ai më tregoi se si e kishte bërë atë vepër, duke pasur si model pikërisht një anëtare të SOE-s, e cila kishte jetuar në atë zonë të Londrës, ku gjendej busti.
“Ajo heroinë më ka frymëzuar për këtë vepër dhe po ajo më ka pozuar”, – më tha Ivani. “Në fakt pashë në tiparet e saj aq shumë elemente të një përfaqësueseje të kësaj organizate. U mundova t’i shprehja të gjitha në një portret.”
Operativët Specialë Ekzekutivë, janë të vetmit ushtarë të huaj, në historinë e gjatë të Shqipërisë të cilët erdhën në vendin tonë jo si pushtues por si Liberatorë.
Prandaj do të shkoj me nderim dhe dëshirë të marr pjesë në ceremoninë që organizon Ambasada Britanike tek parku i Tiranës me datën 20 tetor 2021, në orën 11.00. me ftesë të Ambasadorit të Britanik në Tiranë, Sh.T. z. Alastair King – Smith.
(Fund)