Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, ka theksuar se vendi i Malit të Zi është në Bashkimin Evropian, përkundër vlerësimeve kritike mbi përparimin në Raportin e progresit të Komisionit Evropian, të publikuar para disa ditësh.
Eurodeputeti kroat ka thënë se Qeveria e Malit të Zi gjatë vitit të fundit ka humbur ritmin e dinamikës së deritashme në procesin e anëtarësimit.
Pas publikimit të Raportit të progresit për Malin e Zi, Picula ka thënë se është i shqetësuar për shkak të ngadalësimit të integrimeve.
“Mali i Zi do të duhet gjithsesi të shmangë çimentimin e situatës së tanishme. Në të kundërt, kjo do t’i përngjante situatës me statusin e Serbisë si kandidat, e cila vetëm në mënyrë deklarative shpreh qëllimin për zbatimin e reformës”, ka deklaruar Picula për gazetën “Pobjeda”.
Ai ka insistuar se vendet e rajonit i kanë përmbushur kushtet për zgjerim, duke shtuar se duhet të vijojnë t’i përmbushin të gjitha kushtet.
Për sa i përket hapjes së bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Picula ka thënë se duhet të nisin menjëherë.
“BE duhet të ruajë besueshmërinë. Bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të zbatohen menjëherë”, ka thënë ai.
Ish-ministri i jashtëm kroat, Tonino Picula, tani eurodeputet në Parlamentin Evropian, është emëruar në vitin 2019 raportues i PE-së për Malin e Zi, i cili nga viti 2010 gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse bisedimet për anëtarësim i ka çelur në qershor të vitit 2012.
(Kohapress)
