Triesh – Për të dytin vit me radhë, përpara godinës së Shtëpisë së Kulturës “Besa” në Triesh u organizua panairi i ushqimit dhe i produkteve tradicionale të zonave rurale të Malësisë, ku gjashtëmbëdhjetë prodhues nga Trieshi, Koja dhe Hoti, ekspozuan prodhimet tradicionale vendore, në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut nga të gjitha zonat e Malësisë, dhe të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit.
Në prononcimin për gazetën “Koha Javore” njëri ndër bashkëorganizatorët e panairit të sivjetshëm, Miran Gashaj, thotë se dominonte në këtë panair patatja e Trieshit, e cila ka pasur edhe ofertën më të madhe, ndërkohë që u ekspozuan prodhime të tjera tradicionale si: maza, qepa, hudhra, rrepa, vezët, pitja dhe petullat e gatuara nga amviset vendase, etj.
“Këtë vit, në këtë panair ofruam edhe mishin e pjekur të qengjit i cili u shit në masë të madhe nga të interesuarit, si një produkt që ende e ka vlerën dhe vendin në tryezat dhe tubimet e malësorëve. Gjithashtu, është ekspozuar edhe djathi nga zona e Kojës, por dhe prodhime të tjera”, shprehet Gashaj, duke shtuar se shumë nga ekspozuesit e këtij panairi kanë ofruar prodhimet e tyre falas, por edhe i kanë shitur.
Ai tha se qëllimi kryesor i organizimit të këtyre panaireve është ekspozimi, promovimi dhe ringjallja e produkteve ushqimore të cilat prodhohen nëpër zonat rurale të Malësisë, në mënyrë që ato të mos lihen në harresë, por t’iu rikthehet vlera që kishin në të kaluarën.
“Sepse kemi vënë re se kuzhina jonë po shkon duke u lënë pas dore, ndërkohë që është kuzhina më cilësore të cilën e kemi”, thotë Gashaj.
Ai tregon se për të ringjallur këto lloj produktesh, ata kanë hasur në pengesë nga vetë vendasit (prodhuesit) të cilët, sipas tij, ngurrojnë që të dalin dhe t’a shpalosin prodhimtarinë e tyre. “Megjithatë, këto lloj panairesh kanë një rendësi të madhe për ata prodhues që marrin pjesë, sepse në këtë mënyrë ata nxjerrin në pah vlerat e këtyre prodhimeve ushqimore me origjinë nga zonat rurale të Malësisë”, përfundon Gashaj.
Në këtë panair morën pjesë edhe disa bletarë nga Malësia, e po ashtu u shpalosën disa piktura, ndërkohë që të pranishmit u argëtuan me muzikë dixhej dhe nga SHKA “BESA”.
Ky panair u organizua nga Organizata Turistike e Tuzit në bashkëpunim me disa aktivistë, me mbështetje financiare të Komunës së Tuzit, të Fondit Humanitar “Trieshi” nga Nju Jorku, të shoqatës së sapo themeluar në Michigan “Jehona e Malësisë” , dhe të disa bashkëatdhetarëve që jetojnë dhe veprojnë në Michigan.
t. u.