Të vetmit ushtarakë të huaj që shkelën në Shqipëri si liberatorë

Mal Berisha

Hyrje
Në mëngjesin e datës 29 tetor 1944, skuadra e Forcave AjroreMbretërore (RAF), Halifax JP 244,148 u nis nga Brindisi me detyrë të posaçme për të dërguar furnizime në kuadër të Operacioneve Ekzekutive Speciale (SOE) drejt Shqipërisë. Aeroplani do të zbarkonte furnizime në pllajën e maleve të Çermenikës në Shqipëri. Pas pak kohe fluturim lidhja me ekipin në avion ishte shkëputur. Avioni mori flakë dhe u rrëzua duke marrë me vete jetët e anëtarëve të ekipit që fluturonin në të. Ata ishin: Piloti Edwin John Stubley, rreshterët Charles Mabbs, farmacist, Alfred Coote, shofer, John Thompson, punonjës hekurudhash, Ernest Logan Brown, polic, Austin Donnelly transportues qelqurinash, dhe Richard Charles Knee, nëpunës.
Pikërisht për këtë, me datën 20 tetor 2021, në Memorialin e tëRënëve Britanikë, te Parku Tirana, do të mbahet një ceremoni nënderim të rreshterit britanik, Peter Twiddy e drejtuar ngaAmbasadori Britanik në Tiranë, Sh.T Alastair King – Smith.

Çfarë ishin operativët ekzekutivë specialë? (SOE)?
NË rrjedhë të luftës së Dytë Botërore, me rënien e Francës në duart e nazistëve, lindi nevoja e menjëhershme e krijimit të një force vullnetare luftarake britanike, e cila do të zhvillonte një luftë ndryshe kundër ushtrive hitleriane. Kjo forcë u pagëzua me emrin; Special Operations Executive (SOE).Misioni i saj ishte të kryente akte spiunazhi dhe sabotazhi në prapavijat e nazistëve. Luftëtarët e këtij formacioni do të nxirrnin trenat nga shinat, të shembnin urat si dhe të sabotonin fabrikat e prodhimit të armëve. Ata do të ndihmonin organizmin e luftës guerrile në të gjitha vendet e pushtuara nga armiku.
Më 16 korrik 1940, Kryeministri britanik Winston Churchill emëroi Hugh Dalton si drejtues politik të SOE-s dhe menjëherë e urdhëroi atë të fillonte veprimtarinë në terren. Organizata angazhoi 13.000 pjesëtarë prej të cilëve 3.200 ishin femra. Ajo u shpërnda zyrtarisht me datën 15 janar të vitit 1946. Agjentët e SOE në qershor të vitit 1941, arritën të shpërthenin stacionin elektrik francez Pessac. Ky akt u prit në Londër si një sukses dhe krijoi bindjen se nuk ishin vetëm bombat ato që do të shkatërronin makinën ushtarake gjermane. Ky operacion çoi në qindra të tjera anë e mbanë Europës deri në Lindjen e Largët, në Japoni. Në vitin 1942 një skuadër e SOE – s vrau zëvendësin e Hitlerit, Reinhard Heydrich me një granatë; Në Greqi në vitin 1942 ata shkatërruan urën e Gorgopotamos, duke i prerë furnizimet ushtrisë së Romelit në shkretëtirë; Në Norvegji ata shkatërruan një fabrikë të ujit të rëndë, duke i dhënë fund ëndrrës naziste për prodhimin e një bombe atomike. SOE mund të godiste armikun në çdo kohë dhe në çdo vend.

Cili ishte roli i SOE – së në Shqipëri?
Në aktet më të rëndësishme, të ndërmarra nga ana e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë, është futja e vendit tonë në hartën e veprimeve të SOE. Një numër i madh djemsh e vajzash britanikë erdhën në Shqipëri për tu ballafaquar me një terren dhe situatë krejtësisht të panjohur.
SOE, përveç vendeve të tjera si Francë, Poloni, Gjermani, Hollandë, Belgjikë, Itali, Jugosllavi, Hungari, Greqi, Kretë, Çekosllavaki, Norvegji, Danimarkë, Rumani, Abisini, Azinë Juglindore veproi edhe në Shqipëri. Një grup i vogël ndërlidhës hyri nga Greqia në Shqipëri në vitin 1943. Agjentët e SOE–së ishin Julian Amery, Anthony Quayle, David Smiley dhe Neil “Billy” McLean.
Si u zhvilluan operacionet e SOE–së në Shqipëri?! Këtë na e ka përshkruar më së miri Rodrick Bailey në librin e tij: “Provinca e Egër”.

SOE në tokën e shqipeve
Sipas Roderick Bailey-t, në vitin 1943, një ekip i vogël elitë i ushtarëve britanikë, filloi të zbriste me parashutë në malet e Shqipërisë së pushtuar. Ata ishin pjestarë të SOE–s dhe kishin si detyrë të gjenin dhe të armatosnin çetat e luftëtarëve guerrilas dhe të sulmonin armikun sa më shumë që të mundeshin. Ata kurrë nuk kishin shkelur në Shqipëri dhe as që dinin se çfarë do t’i priste atje.
Duke u përpjekur të mbijetonin në kushtet më ekstreme dhe në një terren tejet të vështirë, këta britanikë të rinj jetuan nën rrezikun e përhershëm se mos binin në duart e armikut ku i priste vdekja e sigurt. Përveç sëmundjeve, pamundësisë për një jetë të pastër, atyre iu shtohej edhe fakti se guerrilasit shqiptarë, ishin në konflikt me njëri – tjetrin. Në këtë libër të jashtëzakonshëm autori ka përdorur intervistat me të mbijetuarit, ditarë të fshehur prej kohësh dhe të deklasifikuara më së fundi, të cilat dëshmojnë historinë e jashtëzakonshme të SOE–së në Shqipëri.
SOE, sipas dokumentave të saj deri në vitin 1945, ka dërguar në Shqipëri 7.000 pushkë, 5.000 armë gjysmë automatike, 1.800 mitroloza të lehtë, bashkë me 16 milion e pesëqind mijë fishekë, 240 mortaja, me 25.000 bomba, dhe 25.000 granata përveç pistoletave dhe gjashtëdhjetë mitralozave gjysmë të rëndë. Po ashtu ata dërguan 28.000 palë rroba ushtarake, 57.000 palë çizme ushtarake, 14.000 batanije, 390 fenerë, 6 xhipe, dhe një motobarkë. Ata dërguan edhe qindra ton me ushqime.
Nga grupi i parë prej 50 britanikëve që zbritën në Shqipëri, 16-të mbetën të vrarë ndërsa 17 të mbijetuar janë dekoruar. Në atë periudhë kohore të veprimtarisë së SOE–së në Shqipëri, dhanë jetën 53 pjesëtarë të këtyre forcave.
Autori e fillon rrëfimin e tij dramatik me pjesë nga vepra e Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Historia e mbetjeve të eshtrave të këtyre të rënëve britanikë është tejet e dhimbshme. Ata kurrsesi nuk mund të vlerësohen si armiq pushtues të Shqipërisë. Përkundrazi, ata erdhën si liberatorë dhe e dhanë jetën për të nxitur dhe ndihmuar popullin shqiptar të çlirohej nga fashizmi dhe nazizmi. SOE u shpërnda zyrtarisht me datën 15 janar të vitit 1946. Pas luftës ata bënë përpjekje të mëdha për të mbledhur eshtrat e të rënëve të tyre, si kudo tjetër edhe në Shqipëri.
Regjimi i Enver Hoxhës, i cili kishte marrë tërësisht një kurs, fillimisht pro-Jugosllav e më vonë pro–sovjetik, i solli shumë pengesa britanikëve për të marrë eshtrat e djemve e vajzave të veta. Autori tregon sesi përkundër tërë pengesave të qeverisë, një oficer i quajtur MacIntosh gjeti një mbështetje të jashtëzakonshme tek populli shqiptar që u tregua aq bujar ndaj tij. Kështu në shkurt të vitit 1946, ai pasi kishte shkuar fshat më fshat, e breg më breg në kërkim të tyre, arriti të mblidhte eshtrat e të rënëve britanikë në Shqipëri. Fatkeqësisht, MacIntosh u përzu nga qeveria shqiptare si “reaksionar dhe armik i popullit shqiptar” dhe misioni i tij mbeti i pambaruar. Por më e keqja ende nuk kishte ndodhur. Qeveria angleze ia besoi ambasadës franceze detyrën për marrjen e eshtrave. Në vitin 1950 një atashe francez, shkoi të vizitonte varrezat e britanikëve në Shqipëri.
Ai nuk gjeti asnjë gjurmë të tyre. Qeveria Hoxha i kishte fshehur ato dhe nuk i lejoji që as të vdekur të preheshin në paqenë vendin e tyre. E drejta e këtyre njerëzve për tu prehur në një vend të qetë u “fitua” vetëm pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Ata u mblodhën dhe u vendosën në një varrezë në Parkun e Tiranës.
(vazhon)

Të fundit

më të lexuarat