Zyrtarisht në pronësi të Komunës së Tuzit

Tuz –Para tre vitesh, përkatësisht nga viti 2018, në Tuz është formuar edhe Klubi i Basketbollit “Deçiq”, i cili vazhdon të jetë aktiv dhe i përkushtuar.
Drejtuesi i këtij klubi, Enes Turkoviq, në një prononcim për gazetën “Koha Javore” flet për veprimtarinë sportive të këtij klubi, duke treguar edhe për sukseset që ka pasur.
“Vitin e kaluar patëm një sezon shumë të mirë me seleksionin e pionierëve, duke u renditur kështu ndër katër ekipet më të mira në rajonin e mesëm”, shprehet Turkoviq.
Ai tha se tani kanë formuar edhe seleksionin e seniorëve, sepse siç tha, këtu në Tuz nuk ka pasur sport profesional të basketbollit për të rritur.
“Dhe tani së bashku kemi edhe pionierët të cilët garojnë në Ligën e Malit të Zi. Aktualisht si klub kemi gjithsejtë afro njëqind sportistë, me afro 70-80 fëmijë dhe pjesa tjetër të rritur”, u shpreh drejtuesi i këtij klubi, Enes Turkoviq.
Ai më tutje bëri të ditur se KB “Deciq” do të vazhdojë të garojë me seleksionin e seniorëve në Ligën B të Malit të Zi dhe në Kupën e Malit të Zi.
“Ndërsa pionierët do të garojnë në rajonin e mesëm si në: Tuz, Podgoricë, Nikshiq e Danillovgrad”, shprehet Turkoviq.
Ditë më parë, edhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, ka bërë të ditur se Komuna e Tuzit nga tani e tutje do të jetë pronar njëqind për qind i Klubit të Basketbollit “Deçiq”.
“Komuna e Tuzit vazhdon që t’a promovojë sportin. Nga ky sezon KB “Deçiqi”do të garojë në Ligën e parë B të Malit të Zi. Rinia jonë do të zhvillohet edhe përmes sportit, ku komuna ka orientim të krijojë kushte për zhvillimin e tij’, është shprehur Gjeloshaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat