Kryetari i Partisë Demokratike dhe deputeti i Koalicionit Shqiptar “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka, ka zhvilluar të enjten një vizitë pune në Tiranë, ku është pritur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar në lidhje me problematikat e të rinjve, sidomos të studentëve nga Mali i Zi të cilët studiojnë apo që i kanë kryer studimet në Republikën e Shqipërisë.
“Një falënderim të veçantë për ministren Kushi, për gatishmërinë për të ndihmuar dhe kontribuuar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi”, ka shkruar ai.
Pak kohë më parë, edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, është takuar me ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, nga e cila ka kërkuar që studentët shqiptarë nga Mali i Zi të mos kenë kufizime me kuota për pranim në universitetet publike, që procedurat e aplikimit të jenë sa më lehtësuese si dhe sigurimin e kuotave për specializim në fushat e shkencave mjekësore për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi.
(Kohapress)
