Shpalosje e trashëgimisë natyrore të Italisë

Tuz – Një pjesë e trashëgimisë natyrore të Italisë, është prezantuar para publikut të pranishëm të enjten në mbrëmje më 7 tetor 2021, përmes një ekspozite me 19 fotografi, të titulluar: “Italia në sytë e Marko Corso-s”, organizuar nga Ambasada e Italisë në Mal të Zi, në bashkëpunim me Sekretariatin për Vetëqeverisje Lokale të Komunës së Tuzit.
Artisti i njohur italian, Marko Corso përmes këtyre fotografive shpalos peizazhe tejet interesante që prezantojnë trashëgiminë natyrore të Italisë, ku vet artisti gjen një burim të pasur frymëzimi.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, tha se është kënaqësi e veçantë që ambasadori i Italisë, z. Luca Zelioli ndodhet këtu në këtë ekspozitë, dhe se Italia është një shtet mik i Malit të Zi, dhe një shtet i zhvilluar në të gjitha sferat e shoqërisë, si në kulturë, sport, etj.
“Duhet theksuar se ne jemi rritur duke shikuar stacionet televizive të Italisë, si Rai 1 dhe Rai 2, prandaj në këtë nënqiell është shumë i njohur shteti juaj. Ky është aktiviteti i parë që Komuna e Tuzit dhe Ambasada e Italisë po realizojnë sonte këtu, por ne përmes IPA fondeve me disa komuna në Itali realizojmë suksesshëm një sërë projektesh, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me energjinë e gjelbër”, theksoi ndër të tjera Gjeloshaj.
Nga ana tjetër, ambasadori i Italisë, Luka Zelioli, duke e shpallur të hapur këtë ekspozitë ka folur për fotografin e njohur italian, Marko Corso, dhe ka potencuar se me Malin e Zi dhe me Komunën e Tuzit kanë shumë pika të përbashkëta.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 tetor.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat